Botë

Shtetet arabe miratojnë alternativën egjiptiane ndaj “rivierës së Gazës” të Trumpit

Egjipt, vendet arabe

Foto: Associated Press

Udhëheqësit arabë kanë miratuar të martën një plan egjiptian për rindërtimin e Gazës që do të kushtonte 53 miliardë dollarë dhe do të shmangte zhvendosjen e palestinezëve, në kontrast me vizionin e presidentit amerikan Donald Trump për "Rivierën e Lindjes së Mesme", sipas një kopje të planit.

Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sisi, ka thënë se propozimi ishte pranuar në mbylljen e një samiti në Kajro, raporton Reuters.

Sisi ka thënë në samit se ishte i sigurt se Trumpi do të mundësojë arritjen e paqes në konfliktin që ka shkatërruar Rripin e Gazës.

Pyetjet kryesore që duhet të marrin përgjigje për të ardhmen e Gazës janë se kush do ta drejtojë enklavën dhe cilat vende do të japin miliarda dollarët e nevojshëm për rindërtimin.

Sisi ka shtuar se Egjipti ka punuar në bashkëpunim me palestinezët për krijimin e një komiteti administrativ të teknokratëve të pavarur dhe profesionistëve palestinezë, të cilëve iu besua qeverisja e Gazës.

Komiteti do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e ndihmës humanitare dhe menaxhimin e punëve të Rripit për një periudhë të përkohshme, në përgatitje për kthimin e Autoritetit Palestinez (PA), sipas tij.

Çështja tjetër kritike është fati i grupit militant palestinez Hamas, rivali i PA, i cili ka shkaktuar luftën në Gaza duke sulmuar Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë 1,200 njerëz dhe duke marrë më shumë se 250 pengje, sipas raporteve izraelite.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, i cili kryeson AP, ka thënë se ai e mirëpret idenë egjiptiane dhe i kërkoi Trumpit të mbështeste një plan të tillë që nuk do të përfshinte zhvendosjen e banorëve palestinezë.

Abbas, në pushtet që nga viti 2005, ka thënë gjithashtu se ishte gati të zhvillonte zgjedhje presidenciale dhe parlamentare nëse rrethanat e lejojnë, duke shtuar se AP-ja e tij ishte e vetmja forcë legjitime qeverisëse dhe ushtarake në territoret palestineze.

LEXO EDHE: