Shtëpia e komandantit të Auschwitzit, Rudolf Höss, e cila ishte subjekt i filmit “The Zone of Interest”, fitues i çmimit “Oscar”, së shpejti do të hapë dyert për vizitorët. Projekti pritet të përfshijë të gjithë territorin e pronës së komandantit Höss, shtuar këtu edhe një pjesë oborri, të mbajtur mbyllur për një kohë të gjatë, ku ai u takua me shefin e sigurisë së Hitlerit, Heinrich Himmler, Josef Mengele, mjekun “engjëlli i vdekjes” dhe personalitete të tjera naziste të ngarkuara me detyrën e shfarosjes së hebrenjve
Për 42 vjet rresht kjo nënë jetoi në shtëpinë trekatëshe me pamje nga një ish-dhomë gazi dhe një trekëmbësh ekzekutimi në Auschwitz, ndonjëherë duke humbur edhe gjumin nga mendimet e asaj që kishte ndodhur në anën tjetër të oborrit të saj.
Por shtëpia në Oswiecim, Poloni jugore, dikur shtëpia e komandantit të kampit të vdekjes, Rudolf Höss, ishte “një vend i mrekullueshëm për të rritur fëmijë”, tha Grazyna Jurczak, 62 vjeçe, një e ve që rriti dy djem atje.
Sipas saj, shtëpia, subjekt i filmit “The Zone of Interest”, fitues i çmimit “Oscar”, mbërthente “siguri, heshtje, e kopsht të bukur”, qasje të lehtë në lumin që shtrihej përgjatë rrugës dhe, në dimër, hapësirë për patinazh për dy djemtë e saj.
E vetme në shtëpi, pas vdekjes së të shoqit, ajo më në fund vendosi të largohej. Njëra prej arsyeve, siç ka theksuar ajo, ishte se shqetësohej nga njerëzit që, pasi panë filmin “The Zone of Interest”, hynin në oborrin e saj, shihnin fshehurazi në dritaret e saj dhe i kujtonin lidhjen e shtëpisë me Holokaustin.
Verën e kaluar, zonja Jurczak ra dakord t’ia shiste aksionet e shtëpisë së saj Projektit Kundër Ekstremizmit, grup me bazë në Nju-Jork, që dëshiron të hapë dyert e shtëpisë për vizitorët. Ajo u shpërngul në gusht dhe në muajin tetor grupi i Nju-Jorkut përfundoi procedurat e blerjes së shtëpisë së Jurczak dhe të një shtëpie ngjitur, e ndërtuar pas luftës.

“Më duhej të largohesha nga aty”, tha zonja Jurczak, tek fliste nga shtëpia e saj e re në Oswiecim, afro dy kilometra larg shtëpisë së saj të mëparshme. Ajo nuk pranoi të tregonte se për çfarë çmimi ishte shitur shtëpia, por tregoi se ishte disi më shumë se vlera e parashikuar e pronës prej rreth 120 mijë dollarësh.
Mark Wallace, avokat dhe ish-diplomat amerikan, i cili është drejtor ekzekutiv i Projektit Kundër Ekstremizmit, gjithashtu nuk pranoi të tregonte çmimin, duke thënë se pasi t’u paguhen aksionet në pronë edhe anëtarëve të tjerë të familjes, çmimi total do të jetë “dukshëm më i lartë” nga sa kishte treguar zonja Jurczak.
Ai tha gjithashtu se organizata nuk “dëshironte t’i hynte në hak” familjes së zonjës Jurczak, por gjithashtu “nuk donte që të paguante vlerë të madhe për një pronë ish-naziste, edhe nëse mundej”.
Zhvillimi i punimeve
Tani shtëpia, e cila gjendet në rrugën “88 Legionow”, shumë afër gardhit rrethues të kampit, po përgatitet për të pritur vizitorë për herë të parë, si pjesë e 80-vjetorit të çlirimit të Auschwitzit nga Ushtria Sovjetike.
Muzeu Shtetëror “Auschwitz-Birkenau”, institucion në Oswiecim, i angazhuar për të përkujtuar viktimat e Holokaustit, do të presë dhjetëra liderë botërorë më 27 janar.
Në shtëpi janë zhvilluar punime, ku pronarët e rinj kanë hequr 14 kosha me mbeturina, letra muri dhe elemente të tjera të pasluftës. Kjo e ka shndërruar pronën ashtu siç ishte kur familja Höss jetoi atje nga viti 1941 deri në fund të vitit 1944, duke përfshirë edhe shkrimin në derën e tualetit, “frei/besetzt.”, që në gjuhën gjermane do të thotë, “e lirë/e okupuar”.
Mezuzah, një pergamenë që përmban vargje biblike, është vendosur në kornizën e derës kryesore të shtëpisë, për të nderuar traditën hebraike dhe për të hedhur poshtë fanatizmin e ish-banuesit të saj, komandantit të Auschwitzit.
Pas luftës, komandanti Höss tregonte se si vrasja e suksesshme eksperimentale me gaz e të burgosurve rusë në vitin 1941 “më qetësoi mendjen, sepse shfarosja masive e hebrenjve do të fillonte së shpejti”.
Ai u var në vitin 1947 në një trekëmbësh ekzekutimi të vendosur midis shtëpisë së tij të mëparshme dhe një krematori nazist.

Në një tavolinë, në njërën prej dhomave në katin e poshtëm, që komandanti Höss e përdorte si zyrë, shtrihet një grumbull gazetash të grisura dhe të shkërmoqura të epokës naziste dhe objekte të tjera të kohës së luftës, të gjetura pas shitjes së shtëpisë. Ekziston edhe një filxhan kafeje, e stampuar me vulën “SS”, si dhe shishe birre gjermane.
Nga tavani, ku kishin bllokuar një vrimë, janë nxjerrë edhe pantallonat me vija, të veshura dikur nga një i burgosur i Auschwitzit. Studiuesit po përpiqen ta zbulojnë se kush i kishte veshur ato duke deshifruar një kod të burgosuri, gati të fshirë, të shkruar pranë një trekëndëshi të vogël të kuq, që tregon se ai që i mbante ato ishte një i burgosur politik. Ylli i verdhë, edhe ky pothuajse i fshirë, tregon se ai ishte hebre.
“Kjo shtëpi ka qenë e mbyllur për 80 vjet. Ajo ishte e paarritshme për familjet e viktimave. Më në fund, ne mund ta hapim atë për të nderuar të mbijetuarit dhe për të treguar se ky vend i së keqes së pabesueshme tani është i hapur për të gjithë”, tha Wallace.
Lufta kundër ekstremizmit
Plani, shtoi Wallace, është që shtëpia, së bashku me pronën ngjitur, të shndërrohet në Qendrën Kërkimore të Auschwitzit mbi Urrejtjen, Ekstremizmin dhe Radikalizimin.
Piotr Cywinski, historian polak dhe drejtor i Muzeut “Auschwitz-Birkanau” që nga viti 2006, tha se ky institucion shtetëror dëshironte të ruante misionin e tij kryesor të kujtesës, por shihte vlerë në mbështetjen e një projekti të fokusuar në të tashmen e të ardhmen, si dhe në të kaluarën.
“Lufta kundër realitetit të sotëm është më e lehtë për një OJQ sesa për një institucion shtetëror”, tha ai, tek u ankua për populizmin në të gjithë Evropën, të cilin ai e quan “kanceri i demokracisë”.
Qendra e re pritet të përfshijë të gjithë territorin e pronës së komandantit Höss, shtuar këtu edhe një pjesë oborri, të mbajtur mbyllur për një kohë të gjatë, ku ai u takua me shefin e sigurisë së Hitlerit, Heinrich Himmler, Josef Mengele, mjekun “engjëlli i vdekjes” dhe personalitete të tjera naziste të ngarkuar me detyrën e shfarosjes së hebrenjve.
Daniel Libeskind, arkitekt amerikan, është ngarkuar të ridizajnojë pronën.
Libeskind bëri të ditur se ka hartuar plane paraprake që parashikojnë shndërrimin e interierit të shtëpisë në “një zbrazëti, një humnerë” si dhe ndërtimin e një strukture të re në oborr e cila do të përfshijë salla takimesh, një bibliotekë dhe një qendër të dhënash.
Më shumë se dy milionë njerëz vizitojnë ish-kampin e Auschwitzit çdo vit dhe, largohen nga aty “të tmerruar dhe të hipnotizuar nga vdekja”, por gjithashtu duhet “të përfshihen me antisemitizmin bashkëkohor dhe ekstremizmin tjetër në kulturën tonë politike”, shtoi arkitekti.
Jacek Purski, drejtor i një grupi polak antiekstremist, i cili është pjesë e projektit, tha se dëshiron të përdorë shtëpinë dhe tmerret e kaluara naziste si armë kundër asaj që ai e sheh si ringjallje të ideologjive ekstremiste.
“Shtëpia është shtëpi”, tha Purski, duke parë nga dritarja e katit të dytë të ish-shtëpisë së komandantit Höss drejt oxhakut të një ish-krematori nazist.
“Por, në shtëpitë jointeresante, të rregullta si kjo, ekstremizmi po ndodh sot”, shtoi ai.
“Gruaja e komandantit ishte më e keqe se burri i saj”
Zonja Jurczak, ish-pronarja, tha se ajo ende përpiqet të harmonizojë kujtimet e lumtura dhe të zakonshme në shtëpi, me të kaluarën e saj të tmerrshme.
Tek kujtonte kohët që kishte kaluar me familjen e saj atje, papritmas ajo ndaloi: “Unë shqetësohem se tingëlloi si zonja Höss”, tha ajo, duke iu referuar gruas së komandantit, Hedwig Höss. Në film, zonja Höss flet me entuziazëm për shtëpinë e saj që e quan “parajsë” dhe shfaqet duke provuar një pallto leshi të vjedhur nga një e burgosur, e dërguar për t’u therur nga i shoqi.
Gruaja e komandantit, “ndoshta ishte edhe më keqe se burri i saj”, sa i përket indiferencës së saj ndaj vuajtjeve njerëzore, mendoi zonja Jurczak pasi pa filmin.
Derisa priste ekzekutimin në një burg polak pas luftës, z. Höss, ish-komandanti, shkroi një autobiografi që Primo Levi, shkrimtar italian dhe i mbijetuar i Auschwitzit, e përshkroi si punë të një “funksionari të çuditshëm” i cili “evoluoi hap pas hapi në një nga kriminelët më të mëdhenj në histori”.
Shtëpia ku jetoi z. Höss u ndërtua në periudhën mes dy luftërave botërore të shekullit të kaluar nga një oficer ushtarak polak që shërbente në një kamp të ushtrisë ngjitur, i cili u aneksua nga nazistët pas pushtimit të Polonisë të 1939-s dhe u shndërrua në një fabrikë shfarosjeje. Të paktën 1.1 milion burra, gra dhe fëmijë u vranë atje, kryesisht në dhomat e gazit.
Shtëpia iu kthye pronarit të saj origjinal pas luftës dhe më vonë iu shit familjes së burrit të zonjës Jurczak, që e zotëroi deri vitin e kaluar.
Cywinski, drejtori i muzeut “Auschwitz-Birkanau”, tha se ishte i etur që të punonte me Projektin Kundër Ekstremizmit, në përpjekjet e tij për të luftuar ekstremizmin.
Ekstremizmi, tha ai, “për fat të keq nuk është një sëmundje mendore; është një metodë” që shfrytëzon ndjenjat e përhapura të zhgënjimit.
Njerëzit e zakonshëm me ambicie të zakonshme, shtoi ai, mund të kthehen në përbindësha.
Sipas tij, Höss “ishte një baba i mrekullueshëm për fëmijët e tij dhe, në të njëjtën kohë, organizatori kryesor i vrasjeve më brutale në historinë e botës”.