Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë për Komunikim Strategjik, John Kirby, ka thënë se po punohet në një propozim të ri i cili shpresohet të sjellë armëpushim në luftimet ndërmjet Izraelit dhe Hamasit në Gaza.
“Është një propozim i ri, në të cilin është duke u punuar. Dhe mund t’ju them se izraelitët janë tërësisht mbështetës për këtë propozim të ri”, ka deklaruar Kirby, raporton AP.
Deklarata e tij vjen në kohën kur ushtria izraelite thotë se ka marrë kontrollin e kufirit të plotë të Gazës me Egjiptin.
Marrja e korridorit strategjik Philadephi tregon se Izraeli e ka thelluar ofensivën në Gazën jugore. Palestinezët në qytetin kufitar Rafah kanë raportuar për luftime të ashpra të mërkurën.
SHBA-ja dhe aleatët e tjerë të Izraelit kanë paralajmëruar kundër një ofensive të plotë në qytetin më jugor të Gazës, Rafah, duke thënë se kjo do të shkaktonte katastrofë humanitare.
Mirëpo një zyrtar i lartë izraelit ka deklaruar të mërkurën se parashihet që lufta në Gaza të marrë edhe një tjetër gjashtë-mujorësh, për t’u arritur qëllimi që të shkatërrohet plotësisht Hamasi.
Algjeria po qarkullon gjithashtu një rezolutë të propozuar të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që do të kërkonte një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe do të urdhëronte Izraelin të ndalonte menjëherë ofensivën e tij ushtarake në qytetin jugor Rafah.
Projekt-rezoluta, e siguruar të martën në mbrëmje nga AP, kërkon gjithashtu që armëpushimi të respektohet nga të gjitha palët.
Ai gjithashtu bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve të marra gjatë sulmit të Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor.
Disa diplomatë kanë thënë se shpresonin për një votim të shpejtë.
Shtetet e Bashkuara kanë vënë veton ndaj rezolutave të shumta që kërkoin armëpushim në Gaza.