Botë

Shtëpia e Bardhë: Tarifat ndaj Kinës do të rriten në 104% të mërkurën

Trump-Tarifa

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump do të vendosë një tarifë prej 104% në importet kineze duke filluar nga e mërkura, ka njoftuar të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. 

Kina përballej me rritje të tarifave me 34%, si pjesë e paketës tarifore "reciproke" të shpallur nga Trumpi javën e kaluar.

Por presidenti ka vendosur tarifë tjetër prej 50% pasi Pekini nuk e ka tërhequr vendimin e tij për të vendosur tarifa hakmarrëse prej 34% për mallrat amerikane deri në mesditën e së martës.

"Vendet si Kina, të cilat kanë zgjedhur të hakmerren dhe të përpiqen të dyfishojnë keqtrajtimin e tyre ndaj punëtorëve amerikanë, po bëjnë një gabim”, u ka thënë Leavitt gazetarëve të martën. 

"Presidenti Trump ka një shtyllë prej çeliku dhe ai nuk do të thyhet”.

“Kinezët duan të bëjnë një marrëveshje, ata thjesht nuk dinë si ta bëjnë atë”, ka shtuar ajo.

Ajo nuk ka pranuar të thotë se cilat kushte, nëse ka, do të konsideronte Trumpi për të ulur tarifat ndaj Kinës.

Kina ishte burimi i dytë më i madh i importeve të Amerikës vitin e kaluar, duke dërguar një total prej 439 miliardë dollarësh mallra në SHBA, ndërsa SHBA-ja ka eksportuar mallra me vlerë 144 miliardë dollarë në Kinë. 

Tarifat e ndërsjella kërcënojnë të dëmtojnë industritë vendase dhe mund të rezultojnë me pushime nga puna.

Leavitt po ashtu ka thënë se Trumpi nuk po shqyrton një zgjatje ose vonesë të tarifave, ndonëse të hënën ishte përfolur për mundësinë e një pauze 90-ditore.

Afro 70 vende kanë kërkuar negociata për tarifat, thotë Shtëpia e Bardhë

1 j. më parë / 8 pri 2025 19:53
Karoline Leavitt

Karoline Leavitt

Photo: Associated Press

Gati 70 vende kanë kontaktuar Shtëpinë e Bardhë në kërkim të fillimit të negociatave për reduktimin e ndikimit të politikës tarifore të Donald Trumpit, ka njoftuar të martën sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Leavitt u ka thënë gazetarëve se marrëveshjet do të bëhen nëse nga ato përfitojnë punëtorët amerikanë dhe adresojnë deficitet kronike tregtare.

Sipas saj, presidenti Trump ka udhëzuar ekipin e tij të punonte në “marrëveshje të personalizuara” për çdo vend që e kërkon atë.