Botë

Shtëpia e Bardhë jep detaje të reja nga biseda Trump-Zelensky

SHBA

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, është deklaruar të mërkurën para gazetarëve rreth bisedës midis presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Leavitt ka konfirmuar se të dy liderët kanë pasur një bisedë fantastike, me Zelenskyn i cili i ka falënderuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen ekonomike e ushtarake – veçanërisht për sistemin anti-tank Javelin.

Sipas saj, lideri ukrainas i ka kërkuar SHBA-së “sisteme shtesë të mbrojtjes, veçanërisht sistemin ajror të mbrojtjes Patriot, në mënyrë që të mbrojë civilët”. E presidenti amerikan, është pajtuar të punojë bashkë me Zelenskyn për të gjetur atë që është në dispozicion, sidomos në Evropë.

E pyetur për marrëveshjen mbi mineralet, ajo ka thënë se biseda telefonike “ka shkuar përtej marrëveshjes ekonomike për mineralet”, duke u përqendruar në “armëpushimin e pjesshëm, si dhe në hapat e radhës drejt armëpushimit të plotë e paqes së qëndrueshme në këtë konflikt”.

Ndër të tjera, Trumpi raportohet se i ka propozuar liderit ukrainas që vendosja e infrastrukturës energjetike të vendit të tij “nën pronësinë amerikane” mund të jetë forma më e mirë e mbrojtjes së kësaj infrastrukture kritike. 

Presidenti amerikan ka premtuar se do të “punojë ngushtë me të dy palët” për t’u siguruar se fëmijët e rrëmbyer gjatë luftës, “të kthehen në shtëpi”.

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky

Nis biseda telefonike Trump-Zelensky

Biseda telefonike ndërmjet presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky është në zhvillim e...