Botë

Bideni nuk tërhiqet nga gara për president, konfirmon Shtëpia e Bardhë

Karine Jean-Pierre

Karine Jean-Pierre

Foto: Associated Press

E përditësuar (21:13) - Presidenti amerikan Joe Biden nuk do të tërhiqet nga gara edhe për një mandat në krye të SHBA-së. 

Këtë e ka konfirmuar sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën. 

"Absolutisht jo”, ka thënë Jean-Pierre kur është pyetur nëse Biden do të largohet nga gara, ka raportuar BBC-ja. Ajo madje ka shtuar se Bideni është më i vendosur se asnjëherë më parë. 

"Ai është një president i fortë dhe i vendosur. Ai është më i vendosur se kurrë më parë”, ka shtuar Jean-Pierre. 

Duke folur për punën e Bidenit si president, ajo ka thënë se ai është i aftë për të vazhduar udhëheqjen. 


Shtëpia e Bardhë i mohon raportimet se Bideni po e shqyrton kandidaturën e tij për president

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë si "absolutisht të rremë" një raport të New York Times të mërkurën, që thoshte se presidenti i SHBA-së Joe Biden, i kishte thënë një aleati se po e mendonte nëse do të vazhdonte garën e tij për rizgjedhje në nëntor.

Raporti u bazua në një bisedë që “Times” tha se Bideni kishte me një "aleat kyç" të paidentifikuar, i cili u citua të thoshte se presidenti e dinte se duhej të siguronte shpejt publikun se mund ta bëjë ende punën si president.

Performanca e lëkundur e Bidenit në debatin kundër rivalit republikan, Donald Trump në Atlanta javën e kaluar ka nxitur thirrje që ai të tërhiqet si kandidat demokrat për zgjedhjet e 5 nëntorit.

"Ky pretendim është absolutisht i rremë”, ka shkruar në X zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Andrw Bates.

Edhe CNN-i raportoi për një bisedë të ngjashme me një aleat të paidentifikuar, i cili u citua të thoshte se Bideni "nuk është i pavëmendshëm".

Në raportin e tij, CNN-i ka thënë se Bideni situata ishte kritike nëse ai mund të shpëtonte kandidaturën e tij për rizgjedhje.

Presidenti Biden ka thënë të martën në një tubim elektoral në Virxhia se ishte i lodhur gjatë debatit pas dy udhëtimeve jashtë vendit. 

Zyrtarët e fushatës së Bidenit po planifikojnë të mbajnë një takim me guvernatorët demokratë më vonë të mërkurën.

LEXO EDHE: