Botë

Shtatë të vrarë si pasojë e sulmit izraelit në Bregun Perëndimor

Bregu Perendimor

Shtatë palestinezë, duke përfshirë një mjek, janë vrarë nga forcat izraelite gjatë një operacioni në Jenin, në veri të Bregut të pushtuar Perëndimor, kanë bërë të ditur autoritetet e vendit.

Të plagosur kanë mbetur nëntë persona të tjerë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, raporton BBC.

Doktori Aseed Jabareen, kirurg 50-vjeçar, është qëlluar për vdekje gjatë rrugës për në punë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së vendit.

Mediat palestineze kanë raportuar po ashtu se në mesin e viktimave është edhe një 9-vjeçar i cili u vra teksa po udhëtonte me biçikletë. 

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) kanë thënë se po kryejnë një operacion në Jenin ndaj personave të armatosur. 

“Forcat izraelite të sigurisë aktualisht po kryejnë një operacion kundër terrorizmit në zonën e Jeninit. U identifikuan sulme ndaj personave të armatosur në zonë”, ka deklaruar IDF-ja.

Sipas OKB-së, të paktën 480 palestinezë janë vrarë si pasojë e incidenteve të lidhura me konfliktin në Bregun Perëndimor, duke përfshirë Jerusalemin Lindor.

Dhjetë izraelitë, duke përfshirë gjashtë anëtarë të forcave të sigurisë, janë vrarë gjithashtu.