Botë

Shtatë të vdekur si pasojë e një sulmi ajror në Belgorod të Rusisë

Belgorod

Shtatë persona janë vrarë dhe të paktën 35 janë plagosur si pasojë e një sulmi ajror në rajonin Belgorod të Rusisë, në kufi me Ukrainën, raporton BBC.

Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov ka fajësuar forcat ukrainase për sulmin, i cili tha se u krye me dronë dhe goditi minibusët që po transportonin punëtorët e një fabrike të përpunimit të mishit.  

Gladkov ka thënë se gjatë 24 orëve të fundit janë sulmuar edhe disa lokacione të tjera në rajonin Belgorod, si pasojë të cilave janë dëmtuar disa ndërtesa banimi.

Rajoni i Belgorodit është shënjestruar shpesh nga forcat ukrainase.

Sulmi më vdekjeprurës në Belgorod deri më tani ndodhi në dhjetor, ku si pasojë e një sulmi me dronë dhe raketa, u vranë 25 njerëz dhe u plagosën 100 të tjerë.

Në mars, Gladkov bëri të ditur se 9 mijë fëmijë do të evakuoheshin nga qyteti pas bombardimeve për të cilat autoritetet fajësuan Ukrainën.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar të synojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke dëmtuar një objekt në rajonin verior Sumy, i cili kufizohet me rajonin Belgorod.

Ministria e Energjisë e Ukrainës ka thënë se sulmi ka lënë më shumë se 400 mijë njerëz pa energji elektrike.

Sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në SHBA, Rusia po grumbullon trupa në rajonet e Belgorodit, Kurskit dhe Bryanskit në përgatitje të një sulmi kundër Ukrainës verilindore dhe qytetit të Kharkivit.

Zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar prej kohësh se Rusia po përgatitet të nisë ofensivën për ta pushtuar Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës.