Presidenti Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i është adresuar Kongresit në SHBA për herë të parë që kur ka marrë detyrën për herë të dytë në janar, duke deklaruar se “ëndrra amerikane është e pandalshme”.
Në fjalimin më të gjatë të një presidenti para ligjvënësve, ai ka paraqitur vizionin për mandatin e dytë, derisa Republikanët kanë duartrokitur gjashtë javët e para të këtij mandati që ka riformuluar politikat e brendshme dhe të jashtme.
Gjatë fjalimit, Trumpi është penguar nga Demokratët dhe ai i ka provokuar gjatë pjesës kryesore të fjalimit.
Presidenti republikan ka marrë veprime për të tkurrur forcën punëtore federale dhe ka vendosur të largojë imigrantët ilegalë, teksa ka vendosur tarifa ndaj partnerëve më të mëdha tregtarë të SHBA-së dhe ka dridhur aleancën trans-atlantike mbi luftën në Ukrainë.
Këtu janë shtatë momente kyçe të fjalimit:
“Faleminderit, Elon”
Gjatë fjalimit Trumpi ka përmendur edhe këshilltarin e tij multimiliarder, Elon Musk, i cili udhëheq me Departamentin e sapokrijuar për Efiçiencë Qeveritare (DOGE), e cila ka për detyrë tkurrjen e shpenzimeve qeveritare. Deri tani Eloni ka larguar nga puna mijëra punëtorë federalë, ka ndalur miliarda dollarë në ndihma jashtë vendit dhe ka ndaluar programe në të gjithë vendin.
“Faleminderit, Elon. Ai po punon shumë, ai nuk kishte nevojë për këtë”, ka deklaruar Trumpi.
Po ashtu Trumpi ka përmendur edhe shembuj të shpenzimeve të panevojshme, që Musku i ka ndaluar.
“Tetë milionë dollarë për të promovuar LGBTQI+ në vendin afrikan të Lesotos, për të cilin askush nuk ka dëgjuar”, ka shtuar Trumpi.
Sipas DOGE-t ata kanë kursyer 105 miliardë dollarë deri tani, por kjo shifër nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur. Faturat e publikuar arrijnë vlerën 18.6 miliardë dollarë të kursyera.
Demokratët përqeshin presidentin
Brenda pesë minutave të adresimit, kongresisti nga Teksasi, Al Green është shoqëruar jashtë Dhomës, pasi nuk i ka ndjekur udhëzimet nga kryetari i Kongresit, i cili ka kërkuar nga ai të mos e pengojë presidentin.
Derisa Trumpi po fliste, Demokratët kanë mbajtur shenja që shkruanin “Kjo është gënjeshtër”.
Me Republikanët në kontroll të Shtëpisë së Bardhë, Kongresit dhe Senatit, Demokratët kanë qenë pa udhëheqës derisa kanë punuar për të kundërshtuar aktivitetet nga administrata e Trumpit.
“Nuk ka diçka që unë mund të them që mund t’i bëjë ata të lumtur”, ka deklaruar Trumpi, derisa shihej që po shijonte përplasjen me Partinë Demokratike.
“Dhuratë e paprecedentë për shokët e tij miliarderë. Ai mund të na çojë drejt në recension”, ka akuzuar presidentin Trump, përfaqësuesja e Demokratëve, Elissa Slotkin, kongresiste për herë të parë nga Michigani.
Një “letër e rëndësishme” nga Zelensky
Trumpi ka deklaruar se gjatë ditës ka pranuar një “letër të rëndësishme” nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, që përshtatej me publikimin e Zelenskyt në rrjetet sociale.
Presidenti i Ukrainës ka deklaruar se është i gatshëm për të punuar me “udhëheqësinë e fortë” të Trumpit për të ndaluar luftën dhe të “vijë në tavolinën e negociatave sa më shpejt të jetë e mundur për të sjellë paqen e qëndrueshme më afër”.
“E vlerësoj që ai dërgoi këtë letër”, u ka thënë Trumpi ligjvënësve.
Letra erdhi pasi Trumpi ka ndaluar të gjitha ndihmat ushtarake për Ukrainën, pas takimit të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë me liderin ukrainas, me 28 shkurt.
Lufta tregtare do të shkaktojë “pak shkundje”
Pas ditës së dytë të shkundjeve të tregut, Trumpi ka larguar opsionin e “rënies ekonomike” nga lufta tregtare që ai ka filluar këtë javë. Këtu përfshihen tarifa 25% ndaj produkteve dhe shërbimeve nga Meksika dhe Kanadaja, dhe 10% shtesë në importet nga Kina.
Por për dallim nga pjesët e tjera të fjalimit, kjo pjesë nuk u prit mirë nga një pjesë e partisë së tij Republikane, që nënkupton se taksat në importe të Trumpit kanë ndarë partinë.
“Tarifat janë për të bërë Amerikën të pasur përsëri dhe për të bërë Amerikën e madhe përsëri. Dhe po ndodh, dhe do të ndodhë shpejt. Do të ketë pak shkundje, por ne jemi në rregull me atë”, ka deklaruar Trumpi.
Trumpi ka shtuar se tarifat reciproke për partnerët tregtarë të SHBA-së do të hyjnë në fuqi me 2 prill.
Më herët gjatë ditës, sekretari i Thesarit në SHBA, Howard Lutnick, ka deklaruar për Fox Business se Trumpi mund të njoftojë për një marrëveshje tregtare me Meksikën dhe Kanadanë.
Fajësimi i Bidenit për çmimet e vezëve
Javët e fundit çmimi i vezëve është rritur shumë. Trumpi gjatë fushatës kishte premtuar ulje të inflacionit pas kthimit në detyrë, kurse tani ka gjetur një fajtor për këto çmime.
“Siç e dini, ne trashëguam, nga administrata e fundit, një katastrofë ekonomike dhe një makth inflacioni. Joe Biden veçanërisht ka lënë çmimet e vezëve të dalin jashtë kontrollit – dhe jemi duke punuar shumë për të ulur përsëri çmimin”, ka deklaruar Trumpi.
Çmimet e vezëve janë rritur nën administratës së Bidenit, pasi administrata e tij ka udhëzuar që miliona zogj të eliminohen gjatë vitit të kaluar pas përhapjes së gripit të zogjve, por çmimet kanë vazhduar të rriten edhe në presidencën e Trumpit.
Ëndrra e një fëmije bëhet realitet
Një nga momentet më virale të fjalimit. Trumpi e ka befasuar një fëmijë të diagnostikuar me kancer në tru për të cilin presidenti tha se dëshironte të bëhej polic.
Trumpi ka njoftuar se, 13-vjeçari DJ Daniel, do të emërohej nga drejtori i ri i Shërbimit Sekret, Sean M. Curran, si anëtar i forcave policore.
Daniel i habitur, ka pranuar një distinktiv të Shërbimit Sekret nga Currani.
Një qendër strehimi nga zjarret natyrore merr emrin e viktimës së vrasjes
Gjatë fjalimit, Trumpi ka njoftuar se ka riemëruar një qendër strehimore nga zjarret natyrore në Teksas me emrin e një vajze nga Hustoni që dyshohet se është vrarë nga imigrantë ilegalë.
Jocelyn Nungaray, 12-vjeçe, ishte gjetur e vdekur në qershor të 2024-tës pasi ishte e raportuar e humbur. Alexis Nungaray, nëna e saj, ishte e ftuar e zonjës së parë, Melania Trump gjatë fjalimit presidencial.
Gjatë adresimit të inaugurimit në janar, Trumpi ka premtuar se administrata e tij do të fillojë të dëbojë miliona imigrantë me të kaluar kriminale.
Numri i kalimeve ilegale të imigrantëve në kufirin jugor ka rënë muajin e kaluar në nivelin më të ulët në 25 vjetët e fundit.
Por presidenti republikan raportohet se ka qenë i frustuar me kohëzgjatjen e dëbimeve, që deri tani ka dështuar të kalojë numrin e të dëbuarve gjatë administratës së Bidenit vitin e kaluar.
