Të paktën shtatë persona kanë mbetur të vdekur pasi një varkë me emigrantë u përplas në shkëmbinj në qytetin bregdetar të Turqisë në Egje të martën, Çesme, ka bërë të ditur roja bregdetare turke.
Një person është shpëtuar nga deti nga një anije peshkimi e cila më pas ka lajmëruar rojen bregdetare, raporton AP.
Tetëmbëdhjetë të tjerë, përfshirë fëmijë, u shpëtuan nga ishulli i vogël Karaada, pranë Çesme.
Përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë për të gjetur një person të zhdukur, ka bërë të ditur roja bregdetare në një deklaratë.
Sipas rojës bregdetare emigrantët dyshohet se u lanë të futeshin brenda një gomone shpëtimi nga autoritetet greke në një vendndodhje afër ujërave territoriale turke. Thuhet se anija më pas goditi gurët dhe u fundos.
Një video e shpërndarë nga ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya në platformën e mediave sociale X, tregonte një varkë të rojës bregdetare duke shpëtuar emigrantë, përfshirë fëmijë, nga ishulli.
Turqia e akuzon rregullisht Greqinë për përfshirje në deportime të emigrantëve pa qasje në procedurat e azilit të kërkuara sipas së drejtës ndërkombëtare. Greqia mohon kthimin e emigrantëve të sapoardhur në Turqi.
Greqia shërben si një pikë kryesore hyrëse për emigrantët që kërkojnë një jetë më të mirë në Bashkimin Evropian. Shumica hyjnë ilegalisht nga Turqia me varka të pasigurta të ofruara nga trafikantët.