Halili ishte vetëm gjashtë vjeç kur u largua nga Siria, në kohën kur lufta civile arriti kulmin.
Ai jetonte në provincën Homs me babanë, taksist, nënën dhe dy motrat më të vogla.
Homsi, qyteti i tretë më i madh në Siri dhe shtëpi e 1.5 milionë njerëzve para luftës, ka qenë fushëbetejë kyçe në kryengritjen kundër presidentit Bashar al-Assad, pasi banorët iu përgjigjën thirrjeve për rrëzimin e tij në fillim të vitit 2011.
“Fshati im ndodhet mes dy maleve dhe përleshjet ndodhnin çdo natë. Shihja zjarr dhe dritë nga armët kur ushtarët dhe rebelët qëllonin njëri-tjetrin. Isha i frikësuar”, kujtoi Halil.
Në vitin 2015, forcat rebele u larguan nga Homsi, që më parë ishte nën kontrollin e tyre.
Qyteti ra në duart e regjimit.
Mijëra njerëz u arrestuan gjatë kryengritjes bazuar në “ligjin kundër terrorizmit”, që bënte të dënueshme pothuaj të gjitha aktivitetet paqësore të kundërshtarëve.
Babai i Halilit, Ibrahimi, ishte një prej të burgosurve.
“Autoritetet e futën në burg. Kur ai doli, ne si familje vuajtëm shumë e prandaj vendosëm të largoheshim nga Siria”, ka thënë Halili.
Kështu nisi rrugëtimi dhjetëvjeçar i djaloshit refugjat.
Ndalesa e parë: Libani
Që nga shpërthimi i konfliktit në Siri, 12 milionë njerëz janë zhvendosur. Më shumë se gjashtë milionë kanë lënë vendin.
Llogaritet se rreth 1.5 milionë sirianë jetojnë në Liban.
Libani ishte ndalesa e parë për familjen e Halilit po ashtu.
Ata qëndruan për gati një vit në një shtëpi të një miku sirian, por sërish vendosën të lëviznin sepse kuptuan se atje nuk kishte të ardhme për ta.
Ata vazhduan për në Turqi, legalisht, me aeroplan.
Që nga shpërthimi i luftës civile, Turqia ua ka mbajtur të hapur derën sirianëve dhe sot është shtëpia e mbi 3.6 milionë refugjatëve.
Turqia është shteti me numrin më të lartë të refugjatëve në botë.
Halili dhe familja e tij e gjetën vetën në Stamboll, shtëpi e mbi 500,000 sirianëve.
Jetuan aty për katër vjet, por ishte e vështirë të përshtateshin në shoqëri mes tensioneve në rritje mes banorëve lokalë dhe refugjatëve.
“Në Stamboll, fëmijët turq vinin dhe më thoshin: ‘Pse nuk kthehesh në Siri?’ U përballa me shumë probleme. Por mendova, asgjë nuk do të ndryshojë nëse vetëm qaj. Duhet ta vazhdoja jetën”, i ka thënë Halili BBC-së serbe.
Në mes të vitit 2019, po rridhnin lajme se Turqia po deportonte qindra sirianë kundër dëshirës së tyre.
Qeveria turke mohoi këtë.
Nën frikë se kjo mund të kthehet në realitet, familja e Halilit vendosën të largoheshin edhe nga Turqia.
Ata arritën portin e Bodrumit në përpjekje për të arritur në Greqi përmes Detit Egje.
U përpoqën tri herë pa sukses.
Vetëm në përpjekjen e katërt, në një anije me rreth 50 persona Halili dhe familja e tij arritën të shkelnin në ishullin grek, Kos.
“Menduam se po ëndërronim. Ishim të lumtur dhe të sigurt dhe falënderuam Zotin. Ne menduam, ‘Ia dolëm’”.
“Tani mund të fillojmë ta ndërtojmë të ardhmen.
Bir, a je i sigurt?
Por, ëndrra nuk zgjati.
Që nga viti 2020, ka pasur gjithnjë e më shumë lajme për deportime të migrantëve dhe refugjatëve nga Greqia në Turqi.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë kritikuar qeverinë në Athinë për keqtrajtim të azilkërkuesve.
Në atë kohë, autoritetet greke mohuan se abuzonin migrantët.
Babai i Halilit, Ibrahimi, kishte frikë se do t’u vinte radha atyre.
Halili sugjeroi se ai duhej të ndahej nga familja dhe të shkonte në Evropë vetëm.
“Në fillim babai refuzoi. Por pasi mendoi, ai më pyeti: ‘Bir, a je i sigurt?’ ‘Po’, iu përgjigja. ‘Në rregull’, më tha. Do të largohesh shpejt. Ji gati’”, ka rikujtuar më tej ai.
Në tetor 2020, në moshën 13-vjeçare, Halili i vetëm u largua për në Shqipëri me një grup refugjatësh.
Ata ecën më shumë se 165 kilometra, nëpër male dhe përgjatë lumenjsh, pa ushqim përveç pak peshk e çokollatë për të marrë energji.
Ata siguroheshin që gjithmonë të kishin mjaftueshëm ujë dhe çanta gjumi.
Herë pas here xhironin udhëtimin e vështirë me telefonat e tyre dhe bënin shaka për ta mbajtur humorin.
Ata i ndanin këto kujtime me familjet e tyre sapo arrinin një destinacion.
Pas dy javësh në rrugë, ata arritën në Prishtinë, kryeqyteti i Kosovës.
Të vendosur për të vazhduar në Evropë, shkuan në Serbi.
Në nëntor 2020, Halili arriti në Beograd.
“Jam tmerrësisht i lodhur”, dëgjohet Halili derisa xhiroi veten në pesë të mëngjesit.
Përpjekje të shumta
Synimi kryesor i Halilit ishte të shkonte në perëndim nga Serbia, në Austri ose në Holandë.
Ai u përpoq disa herë ta kalonte kufirin e Serbisë me shtetet e Bashkimit Evropian: 11 përpjekje për të hyrë në Hungari, tri për Kroaci dhe një herë në Rumani.
Asnjëherë nuk pati sukses.
Pas katër muajsh përpjekje, ecjet e gjata në mot ekstrem kërcënuan shëndetin e tij dhe e penguan të vazhdonte.
Duhej të hiqte dorë dhe të vendosej në Beograd.
Që nga viti 2015, më shumë se një milion migrantë dhe refugjatë nga e gjithë bota kanë kaluar përmes rrugës së quajtur si rruga ballkanike për të arritur në BE.
“Nuk e ndjej Beogradin si qytetin tim, por jam i lumtur këtu”, thotë Halili, tani 17 vjeç.
Për tri vjetët e fundit, kryeqyteti serb ka qenë shtëpia e Halilit, ai filloi shkollën në Beograd, mësoi anglisht dhe serbisht dhe bëri miq.
Ai tregon dhomën e tij dhe vizatimet që ka bërë pasi i pëlqen të vizatojë në kohën e lirë.
Ai ka vizatuar ndër tjerash një vajzë me krahë engjëlli, që ngrihet nga deti në qiell.
“Vajza është e vetmuar dhe kështu ndihesha unë dhe doja ta tregoja këtë”, ka shtuar ai.
“Isha shumë i lodhur pas gjithçkaje që kishte ndodhur në Greqi, Shqipëri, Kosovë... Erdha këtu dhe mendova: ‘Falë Zotit mund të pushoj pak’. Jeta ime është perfekte tani. Mund të fle. Mund të shkoj në shkollë”.

Kapitulli i fundit: Familja e bashkuar
Ndërsa Halili ishte në Serbi, dhe babai me motrat në Greqi, nëna e tij arriti të shkojë në Holandë dhe të fitojë statusin e refugjatit.
Në shtator 2023, atyre iu erdhi një mundësi që shumë refugjatë e ëndërrojnë, i ashtuquajturi bashkim familjar.
Në vetëm pak muaj, Halili mundi t’u bashkohej në Holandë.
Ai nuk i kishte parë të dashurit e tij për gati katër vjet.
Halili tani shpreson të futet në kolegj.
“Dua të bëj miq të rinj, të jetoj jetë paqësore me familjen time dhe të jem larg luftërave. Eksperienca ime më ka mësuar të besoj në veten dhe të jem i fuqishëm që të arrij çfarëdo që dua”, ka thënë ai.
