Më shumë se gjysmë milioni janë vrarë ose janë lënduar rëndë në dy vjet luftë në Ukrainë, sipas vlerësimit të inteligjencës perëndimore – shifër që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore
Aroma e veturës është e shpifur për shkak të kufomave që kanë qëndruar për një kohë shumë gjatë në baltë dhe rrënoja, ato të cilat nuk i kanë ngrënë qentë. Oleksii Yukov, 38-vjeçar, një trajner i arteve marciale, që udhëheq një ekip vullnetarësh për mbledhjen e kufomave në Ukrainë, nuk e vëren atë.
Ai është duke folur në telefon me njërën nga nënat. Ajo ka marrë vesh se djali i saj ishte lënduar në betejë dhe është lënë prapa, por nuk e di me siguri ku është.
“Ai është lënë të vdesë dhe mua me thonë tani që ‘ai ka vdekur si hero?!’” thotë ajo, duke i ngecur fjalët në fyt mes të qarave.
“Mos qaj”, i thotë Yukov. “Sepse nëse tregohesh e dobët – askush nuk do ta ndihmojë atë... Mos qaj para askujt! Nuk ia vlen. Qaj vetëm para varrit të djalit tënd”.
“Ne do t’i kthejmë të gjithë”, i premtoi ai. “Vetëm do të na duhet ca kohë”.
Yukov u thotë të njëjtën gjë të gjitha nënave. Ai u thotë të flasin për fëmijët e tyre të vdekur, që ata të kujtohen gjithmonë. Është vetëm një person historia e të cilit Yukov nuk do që të harrohet. Bëhet fjalë për Oleksandr Romanovych Hrysiuk, apo Sasha, siç e thërriste nëna e tij Olha.
Vitin e kaluar, Yukovi i ka kërkuar Olhas të tregojë historinë e Sashas.
“Jo gjithkush ka pasur një histori të tillë”, i ka thënë ai asaj. Por ai nuk ka treguar pjesën më të rëndësishme: Çfarë i ka kushtuar atij rikthimi i Sashas në shtëpi.
Numërimi i trupave
Shifrat e sakta të luftës dhe humbjeve nga të dyja anët, mund të maten me trupa.
Më shumë se gjysmë milioni janë vrarë ose janë lënduar rëndë në dy vite luftë në Ukrainë, sipas vlerësimit të inteligjencës perëndimore – shifër që nuk është parë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Analistët thonë se do të jetë e vështirë për Ukrainën të tejkalojë forcat ruse, që vazhdojnë të rriten pavarësisht mijëra humbjeve.
“Putini nuk është duke drejtuar shtet demokratik”, ka thënë Evelyn Farkas, ish-zyrtare e lartë e Pentagonit për Rusinë dhe Ukrainën. “Putini mund të përballojë të jetë më i pashpirt dhe të shpërfillë numrin e trupave të vrarë”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, në anën tjetër është duke drejtuar një sistem më demokratik, “ku vullneti i popullit është në fakt komponenti më i fortë i makinës së tyre të luftës”.
Rusia ka pasur 3.7 herë më shumë burra të aftë për luftë sesa Ukraina në vitin 2022, sipas të dhënave të Bankës Botërore. Kjo do të thotë se Rusia ka pësuar gati dy herë më shumë viktima sesa Ukraina, sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore.
“Fuqia luftarake është valutë tjetër”, ka thënë Nick Reynolds, një studiues nga ky institut. “Rusët, me bazën industriale dhe fuqinë më të madhe ushtarake, mund të shpenzojnë fuqinë luftarake dhe materiale me më pak kosto”.
Yukovi e kupton se për njerëzit që janë larg, lufta është gjeopolitike, vdekjet mund të numërohen dhe paratë janë më të rëndësishme se burrat. Po ai e di më mirë.
“Lufta ka një fytyrë”, thotë ai. “Vdekje, marrëzi dhe terror”.
Zoti i merr më të mirët
Herën e fundit që Olha Hrysiuku ka folur me djalin e saj, Sasha, 27-vjeçar, e ka pyetur për të korrat e pranverës, kopshtin e perimeve, kuajt dhe lopët e tyre, a ishin duke bërë vezë pulat. Biseda ka vazhduar, sikur të kishin tërë kohën e botës. Ishte 15 maj, 2022.
Sasha ishte zhdukur ditën tjetër.
Për tri ditë, ajo kishte vetëm qetësi, të cilën e pranoi normalisht, sepse Sasha i kishte thënë se do të shkonte në mision dhe mund të mos kishin kontakt. Në ditën e katërt ajo ka thirrur për të pyetur për të. Zyra ushtarake kishte kontaktuar njësinë e tij, e cila kishte treguar se Sasha ishte zhdukur.
Sasha nuk kishte lindur luftëtar. Ai ishte atlet, ka studiuar fizioterapinë para se të nisej për luftë më 3 prill 2022. Olha i kishte dhënë një zinxhir me kryq të argjendtë që ta kishte në betejë. Ajo kishte filluar të mendonte për vendndodhjen e djalit të saj të dashur nga të gjithë.
“Në Ukrainë, kemi shprehjen: Zoti i merr të gjithë të mirët”, ka thënë Olha. “Mendoj se ky ishte rasti”.
Kunata e Olhas kishte arritur të kontaktonte disa ushtarë nga njësia e Sashas. Ata i kishin treguar se ai kishte vdekur. Ata i kanë kërkuar falje që nuk kanë mundur ta merrnin trupin e tij me veti, meqë bombardimet ishin të rënda, kështu që e kishin fshehur në një qilar në Dovhenke – vendbanim rural në lindje të Ukrainës. Ai ishte hero, i kanë thënë ata.
Sasha kishte kaluar fiks gjashtë javë në luftë. I kishte ardhur koha të kthehej në shtëpi. Nëse Olha nuk mund të kthente djalin e saj, ajo do të kthente çfarëdo cope që kishte mbetur nga ai.
Olha ka telefonuar çdo organizatë dhe grup vullnetarësh që mund të gjente, që nga Kryqi i Kuq ukrainas e deri të vetë presidenti Zelenskyy. Ata i kanë thënë të priste. Për gjashtë muaj, ajo është përpjekur të gjente përgjigje.
“Nuk mund të jetoja pa provuar”, ka thënë ajo. “Si është e mundur të mos arrish të shohësh eshtrat e fëmijës tënd! Isha e gatshme të shkoja në Dovkenke vetë!”
Në fund njerëzit i kanë thënë që nëse organizata vullnetare për mbledhjen e trupave “Black Tulip” nuk mund ta kthente Sashën, askush nuk do të mundte.
“Duhet të varrosemi”
“Black Tulip” ka qenë grup me të cilët Yukovi ka punuar në vitin 2014, kur u aneksua Krimea. Grupi është ndarë, por emri i ka mbetur. Yukovi ka krijuar grupin e vet, Platsdarm, për ta vazhduar misionin.
Është puna e Yukovit për t’i kthyer të gjithë. Ai ka mbledhur fragmente të burrave për t’ua dërguar nënave të tyre. Ai ka nxjerrë trupa nga helikopterët. Ka kërkuar nëpër jashtëqitje për të kërkuar eshtra ose dhëmbë të burrave, kufomat e të cilëve ishin ngrënë nga derrat.
“Nëse fëmija juaj do të ishte vrarë, ju do të gërmonit me dhëmbë për të gjetur trupat e tyre”, ka thënë ai.
Yukovi është në garë me kohën, për t’i sjellë trupat në shtëpi. Por ka shumë. Ai nuk mund t’i ngarkojë të gjithë në veturë. Ata e dërrmojnë atë.
“Ndonjëherë dua vetëm të bërtasë. Sepse e kupton se çfarë çmendurie dhe dhimbje është”, ka thënë ai.
Yukovi ishte rritur në Slovianskin e ftohtë dhe të uritur në lindje të Ukrainës, njëri nga pesë fëmijët. Ata e kishin kaluar një dimër duke kërkuar bizele të thara në thesin e grushtimit të vëllait të tij. Ai ishte mësuar të ndante, deri në copën e fundit të bukës. Kur ishte gjashtë vjeç, një varrezë lokale ishte gërmuar për t’i bërë vend një spitali të ri të fëmijëve. Buldozerët kishin nxjerrë eshtra, me të cilat fëmijët kishin luajtur. Ai kishte ngelur i tronditur dhe i turpëruar: “Kam shikuar eshtrat dhe kam menduar, ‘Këto janë njerëz... çka nëse janë të afërmit e mi’”.
Pyjet ku e ka kaluar fëmijërinë Jukovi ishin të mbushur me eshtra të ushtarëve gjermanë dhe sovjetikë nga Lufta e Dytë Botërore.
Kur ka qenë 13 vjeç ai kishte nisur të kërkonte kufoma, por ka bërë gabime sepse shpirtrat që ai kishte ofenduar e kanë përndjekur: ‘Pse je duke u rikthyer? Çfarë do?’.
Si i ri, ai ka ëndërruar se ishte duke vrapuar në pyll, derisa binte në një gropë. Ai u ndjente erën trupave para se t’i shihte.
“Më kapte dikush qafën, duke pëshpëritur: ‘Ne duhet të varrosemi’”, ka thënë ai. Kur ishte zgjuar e dinte çfarë duhet të bënte.
“Derisa të varrosen sipas traditave dhe ritualeve të tyre, shpirtrat e tyre do të vuajnë. Kështu që është shumë e rëndësishme për mua, edhe nëse është armik, t'i kthej në shtëpi për t'u varrosur siç duhet, që shpirti i tyre të jetë i qetë", ka thënë Yukovi. “’Mbledhës të shpirtrave’ na quajnë vendasit”.
Eshtrat e Sashës
Në verën e vitit 2022, Olha dhe djali i saj tjetër kishin telefonuar Yukovin, për t’i kërkuar ndihmë. Ata i kishin dërguar foto të tij dhe të tatuazhit të tij, si dhe pamje satelitore të vendndodhjes së tij të përafërt.
Yukovi kishte arritur në Dovhenke në shtator, pak pas largimit të rusëve. Më shumë se 90 për qind e ndërtesave ishin shkatërruar ose dëmtuar, dhe ishte e vështirë të gjente qilarin ku ndodhej Sasha. Gjithashtu kishte edhe mina.
Ata kanë kaluar ditë të tëra duke kërkuar. Më 19 shtator, Yukovi kishte bërë një hap dhe kishte dëgjuar një zhurmë të vogël, duke kuptuar se kishte shkelur në një minë. Forca e eksplodimit e kishte rrëzuar në tokë.
"Rrija shtrirë aty dhe më dukej sikur nuk kisha këmbë”, ka thënë Yukovi. “Pashë vrima dhe gjak duke dalë nga këmbët e mia. Mendova se ishte në rregull, por papritmas nuk mund të shihja me njërin sy. Nuk kisha më sy”.
Ekipi i tij kishte nxituar ta ndihmonte, por ai u ka thënë të ndalonin nga frika se do të shpërthenin ndonjë minë tjetër. Ata e kanë dërguar Yukovin në spital me shpejtësi, me këmbët e lidhura me fasha dhe me një leckë në vendin ku dikur kishte syrin.
Disa javë më vonë, Yukovi ishte rikthyer në Dovhenke, me syrin me arnë si pirat, për ta kërkuar Sashan. Kur kanë arritur atje një kotele ngjyrë hiri, i kishte hipur mbi krahë. Kjo kotele ishte sjellë rreth e rrotull një vendi mbi rrënoja. Ata kishin filluar gërmimin aty.
“Shpirtrat vijnë te ne dhe sillen rreth nesh”, ka shpjeguar Yukovi. “Na erdhi një shenjë për të na treguar vendndodhjen e tij... Ai dëshiron të shkojë në shtëpi. Nëna është duke e pritur”.
Sasha ishte nën rrënojat e një ndërtese të rrëzuar. Deri sa kishin arritur në shtresën e fundit të betonit, ishte bërë errësirë. Denys Sosnenko, 21-vjeçar, kishte filluar të gërmonte me duar, duke kërkuar për eshtra, me një elektrik dore. Yukovi i kishte thënë Denysit të ruante fragmente nga kafka e Sashas nga helmeta e tij, të cilat pastaj i kishin vendosur në një qese të bardhë. Nga aty, Denysi kishte nxjerrë një qafore me kryq, një lugë dhe një orë.
Yukovi kishte vazhduar duke mbledhur fragmentet e mbetura nga Sasha: shtyllën kurrizore, legenin, femurin dhe bërrylin.
Ishte data 25 nëntor, 2022.
Dy muaj më vonë, Denysi ka kaluar me makinë sipër një mine dhe kishte vdekur nga shpërthimi.
11 rusë dhe një këmbë
Si në shumicën e luftërave, të dyja palët kanë minimizuar numrin e viktimave dhe shifra e vërtetë mund të mos dihet për vite me radhë. Presidenti Zelenskyy kohëve të fundit ka thënë se rreth 31 mijë luftëtarë ukrainas kishin vdekur në luftë. Humbjet e Rusisë mendohet të jenë gati dyfishi i asaj të Ukrainës.
Por nga qielli, të vdekurit tashmë po e transformojnë peizazhin. Varret duken njësoj në të dy anët e frontit: ara, dikur bosh, tani të mbushura me gurë varresh të freskëta.
Deri në mars, më shumë se 650 ushtarë shtriheshin në tokë, jashtë Lvivit dhe kishte më shumë se 800 varre të reja ushtarësh në një varrezë të Kievit. Janë hapur rreth 700 varre për ushtarët në një varrezë në Kharkiv nga shkurti 2022 deri në shtator 2023, sipas imazheve satelitore. Agjencia e lajmeve AP numëroi gjithashtu të paktën 1,345 varre të reja ushtarësh në një varrezë në Dnipro në mars.
Mediazona, një media e pavarur ruse, ka identifikuar vendndodhjet e dhjetëra varrezave ruse që janë mbushur me të vdekur nga lufta. Së bashku me shërbimin e BBC-së për Rusinë dhe një rrjet vullnetarësh, ata kanë konfirmuar vdekjen e rreth 50,000 ushtarëve rusë të vrarë që nga pushtimi në shkallë të gjerë, një numër që ata thonë se ndoshta kap pak më shumë se gjysmën e numrit të vërtetë të vdekjeve. Numri i tyre nuk përfshin luftëtarët rusë nga territoret e pushtuara në Ukrainë. Yukovi thotë se ka mbledhur mbi 1.000 trupa që nga fillimi i pushtimit, më shumë se gjysma e tyre rusë.
“Ne nuk po luftojmë me të vdekurit”, ka thënë ai. “Nuk i ndaj trupat e ushtarëve rusë nga ata ukrainas. Të gjithë janë shpirtra për mua”.
Një natë të tetorit, Yukovi ishte kthyer nga misioni prej afër Slovianskut me një qese të zezë me trupa. Aty kishte 11 rusë dhe një këmbë, që siç dukej nga çizmja ishte ukrainas. Krimet do të dokumentoheshin. Gjësendet që kishin me vete si vizatimet e fëmijëve, fotot familjare, letrat e dashurisë dhe të dëshpërimit – do të vendoseshin në katalog. ADN-ja do të testohej dhe identiteti do të vendosej në bazën e të dhënave të qeverisë.
Yukovi kishte shikuar në qesen e trupave. Kufomat ishin djegur nga dielli dhe mishi i fytyrës së tyre ishte mumifikuar pjesërisht. Nga kjo ai e ka kuptuar se ata kishin vdekur para tre muajsh.
“Ke mbajtur fëmijën në bark”, ka thënë ai. “Tani djemtë tuaj rusë gjenden të shtrirë këtu, në tokën ukrainase. Pse i keni lënë të vijnë këtu? E keni ditur se çfarë do të ndodhte, që ata do të vrisnin dhe do të vriteshin”.
Rikthimi i Sashës në shtëpi
Olha kishte shpresuar për një kohë të gjatë se i zhdukur do të thoshte i gjallë. Por kur Yukovi i kishte dërguar fotografinë e zinxhirit me kryq, Olha e ka njohur menjëherë. Ishte qaforja e njëjtë me kryq që ajo ia kishte dhënë Sashas, por tash ishte dëshmi që ai kishte vdekur.
Olha nuk kishte arritur t’ia shihte fytyrën përsëri djalit të saj. Por në kohën kur ajo mori trupin, Sasha nuk kishte më fytyrë. Kjo ishte shumë e vështirë për të.
Yukovi është shuesi i shpresave për nënat. Por ato e falënderojnë gjithsesi.
“Më vjen mirë që arritëm ta gjenim”, i ka shkruar Yukovi Olhës, kur e ka gjetur Sashan. “Ne të dërgojmë përqafime dhe shpresojmë t’ju takojmë për të na treguar më shumë për të”.
“Puna juaj është e çmuar”, i ka shkruar ajo.
Olha ka varrosur mbetjet e Sashas më 16 mars të vitit 2023 në varrezat e fshatit të saj, poshtë një kryqi të mbuluar me lule dhe shirita.
“Nuk mund ta përshkruaj se sa mirënjohëse jam”, ka thënë ajo. “Jam e tronditur... Për sa kohë që jam gjallë, unë do të mbajë mend sakrificën që bëri Yukovi për mua dhe familjen time”.
Olha viziton varrin e Sashas çdo ditë, për t’u ulur pranë tij, të flasë me të dhe të lutet që ai – dhe ndoshta edhe vetë ajo – të gjejnë paqen.
Përgatiti: Latra Gashi