Të paktën gjashtë anëtarë të ekuipazhit të një varke peshkimi mbetën të vdekur kur një shpërthim tronditi anijen e tyre në det, pasuar nga një zjarr, në Filipine, kanë bërë të ditur zyrtarët e rojës bregdetare të enjten, duke shtuar se gjashtë të tjerë u shpëtuan.
Anëtarët e ekuipazhit të mbijetuar, përfshirë kapitenin e F/B King Bryan, po trajtohen ende në një spital dhe nuk kanë arritur ende t'u thonë hetuesve se çfarë e shkaktoi shpërthimin në bordin e anijes të mërkurën mbrëma, pranë qytetit Naga në provincën Cebu, thanë zyrtarët e Rojës Bregdetare, raporton AP.
Një nga anëtarët e ekuipazhit të plagosur ishte në gjendje kritike në një spital, sipas rojës bregdetare.
Varka e cila kishte shtylla bambuje, me sa duket pati probleme me motorin përpara se të dëgjohej një shpërthim në bord, i ndjekur nga një zjarr, duke plagosur anëtarët e ekuipazhit dhe duke detyruar të tjerët të hidheshin në det nga paniku.
Aksidentet detare janë të zakonshme në Filipine për shkak të stuhive të shpeshta, varkave të mirëmbajtura keq, mbipopullimit dhe moszbatimit të rregullave të sigurisë.
Në dhjetor të vitit 1987, një traget i mbipopulluar, Dona Paz, u mbyt pasi u përplas me një cisternë karburanti, duke lënë të vdekur më shumë se 4,300 njerëz, në fatkeqësinë më të keqe të detit në kohë paqeje në botë, e konsideruar nga disa si Titaniku i Azisë.