E përditësuar (11:06) - Ka shkuar në 34 numri i të vdekurve pasi konsumuan alkool toksik në shtetin jugor të Indisë, Tamil Nadu, kanë bërë të ditur zyrtarët.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen Kallakuruchi ku disa banorë janë sëmurë pasi kanë konsumuar pije alkoolike, mbrëmjen e së martës.
Të paktën 80 persona po trajtohen në spitale për simptoma si diarreja e tepërt, dhe zyrtarët thonë se numri i të vdekurve mund të rritet më tej.
Deri më tani janë arrestuar dy persona derisa po vijon një hetim më i gjerë.
Autoritetet kanë pezulluar gjithashtu një zyrtar të lartë të policisë dhe dhjetë zyrtarë të tjerë, për neglizhencë.
Dhjetëra njerëz vdesin në Indi çdo vit për shkak të konsumit të alkoolit të prodhuar në mënyrë ilegale.
Prodhuesit shpesh shtojnë në pije metanol - një formë shumë toksike e alkoolit që ndonjëherë përdoret si një antifriz.
Nëse gëlltitet edhe në sasi të vogla, metanoli mund të shkaktojë verbëri, dëmtim të mëlçisë dhe vdekje.
29 të vdekur në Indi pas konsumit të alkoolit të prodhuar ilegalisht
Të paktën 29 persona kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë shtruar në spital pasi kanë pirë pije alkoolike të prodhuar ilegalisht, në shtetin jugor indian të Tamil Nadu, kanë thënë zyrtarët për mediat lokale të enjten.
Incidenti ndodhi në rrethin Kallakurichi të shtetit, ku më shumë se 100 njerëz po trajtohen në spitale të ndryshme, ka deklaruar zyrtari i lartë i qarkut M S Prasanth për agjencinë e lajmeve Press Trust of India.
Ai ka shtuar se numri i atyre që janë në gjendje kritike vazhdon të ndryshojë, duke lënë të kuptohet se numri i të vdekurve mund të rritet, raporton AP.
Shefi i shtetit M K Stalin ka thënë në një postim në platformën e mediave sociale X se personat e përfshirë në krim janë arrestuar dhe janë ndërmarrë veprime edhe kundër zyrtarëve që nuk arritën ta parandalonin atë.
“Krime të tilla që shkatërrojnë shoqërinë do të shtypen me grusht të hekurt”, ka deklaruar ai.
Vdekjet nga alkooli i prodhuar ilegalisht janë të zakonshme në Indi, ku të varfrit nuk mund të përballojnë markat e licencuara nga dyqanet e drejtuara nga qeveria.
Pija e paligjshme, e cila shpesh është e mbushur me kimikate të tilla si pesticide për të rritur fuqinë, është bërë gjithashtu një industri jashtëzakonisht fitimprurëse, pasi shitësit nuk paguajnë taksa dhe u shesin sasi të mëdha të produkteve të tyre të varfërve me një çmim të lirë.
Në vitin 2022, më shumë se 30 njerëz vdiqën në shtetin Bihar të Indisë lindore pasi dyshohet se kishin pirë pije të ndotura të shitura pa autorizim. Më herët po atë vit, të paktën 28 vdiqën nga pirja e pijeve alkoolike të ndryshuara në shtetin Gujarat. Dhe në vitin 2020, të paktën 120 njerëz vdiqën pasi kishin pirë pije të ndotura në shtetin verior të Punjabit të Indisë.