Një grua nga Uellsi ka vdekur në Turqi, pasi operimi për humbje peshe kishte shkuar keq, sipas rezultateve të hetimeve për vdekjen e një viti më parë.
54-vjeçarja Janet Savage vdiq gjatë operimit në qeskën e stomakut, ku synonte t’i hiqte rreth 20 kilogramë peshë. Siç ka shkruar “The Guardian”, pacientja kishte udhëtuar nga Bangori i Uellsit drejt një klinike private në Antalia. Para se të hynte në operim, ajo kishte marrë ilaçin “Ozempic”.
Një ekspert mjekësor, i përfshirë në hetim, ka gjetur se Savage vdiq nga humbja e gjakut për shkak të lëndimit në aortën abdominale, që ishte tentuar të rregullohej pas operimit në qeskën gastrike.
Savage kishte shkuar në Turqi përmes një kompanie që organizon procedurat e fluturimeve, hoteleve, operimet e të tjerat.
Alison Ergun, administratore për shërbim të klientëve në agjencinë “Reginis”, ka thënë se me pacienten kishin komunikuar fillimisht në Facebook në korrik të vitit të shkuar dhe ajo u kishte thënë se e përdor “Ozempicun”, ilaç që përdoret te njerëzit me diabet të tipit 2 dhe se donte t’i humbte rreth 20 kilogramë. Gruaja më pas kishte kaluar në “WhatsApp” për t’i kryer rezervimet dhe operimi ishte planifikuar për 5 gusht në Antalia vitin e shkuar.
Sipas hetimeve, Erguni më pas ishte njoftuar nga menaxheri i operimeve se ka pasur “komplikime”. Savage ishte dërguar në kujdes intensiv. Vdiq një ditë më pas, më 6 gusht.
Një doktor i kishte treguar se Savage ka pasur “traumë të madhe të arteries” që ishte rregulluar dhe se gjaku ishte zëvendësuar. Por më pas ajo kishte pasur sulm kardiak gjatë operimit. Ishte dërguar në njësitin intensiv, por vdiq pavarësisht ndërhyrjeve.
“DailyMail” ka raportuar se pacientja kishte paguar rreth 3000 funte për operim.
Autoritetet në Britani të Madhe vazhdimisht bëjnë thirrje për kujdes për ata që duan të bëjnë ndërhyrje kirurgjike të tilla. “Nëse synoni pako të tillë, sigurohuni për konsulta paraprake me kirurg. Shmangni takimet me njerëzit që janë shitës. Mos paguani për spitalin që s’e keni parë kurrë. Mos paguani mjekun pa e parë”, thuhet ndër këshillat e autoriteteve britanike.