Botë

Shkarkohen disa punonjës të Departamentit të Drejtësisë që kishin punuar në rastet kundër Trumpit

Jack Smith

Disa punonjës të Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së, që kanë punuar nën prokurorin e posaçëm Jack Smith, janë shkarkuar, raporton “CBS News”. 

Smith kishte drejtuar dy raste penale federale kundër presidentit të SHBA-së, Donald Trump, një me pretendimet për mbajtje të dokumenteve të klasifikuara pasi u largua nga presidenca dhe një tjetër mbi pretendimet se tentoi ta përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i humbi nga Joe Bideni. 

Të dyja ndjekjet penale u pushuan pasi Trumpi fitoi zgjedhjet në nëntorin e vitit të kaluar, kjo për shkak të politikës së kahmoçme të Departamentit të Drejtësisë që të mos ndjekë penalisht presidentët në detyrë. 

Dhjetëra punonjës të Departamentit të Drejtësisë janë pushuar nga puna, transmeton "BBC". 

Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë tha për “Fox News” se udhëheqësia e këtij departamenti nuk u besonte këtyre “zyrtarëve për të ndihmuar në zbatimin besnik të agjendës së presidentit”. 

Vetë Smith dha dorëheqje nga Departamenti i Drejtësisë pak para se Trump ta merrte detyrën dhe të dyja rastet federale u mbyllën në mënyrë efektive.