Botë

Shfajësimi për vdekjet e fëmijëve nga shurupi i kollës në Indi

Shurupi toksik i kollës, i prodhuar dhe i shitur në Indi mund të ketë qenë fillimi i një vale globale të fundit të helmimit. Disa nga prodhuesit e barnave madje nuk mundën të vërtetonin nëse i kishin testuar produktet e tyre. Prindërit e fëmijëve të ndjerë janë ende në pritje të drejtësisë

Në dhjetor të 2019-s, djali dymuajsh i Jafar Dinit, Irfani, po kollitej dhe kishte ethe. Dini u nis nga shtëpia e tyre njëdhomëshe në malet Himalaje dhe udhëtoi 10 kilometra për në farmacinë më të afërt, ku bleu një shishe me shurupin “Coldbest-Pc”. Ai u kthye në shtëpi dhe i dha të birit një lugë shurup.

Irfani ishte një nga të paktën 16 fëmijët që autoritetet në rajonin verior të Indisë të Jammus dhe Kashmirit zbuluan se ishin helmuar me shurupin e kollës. Dymbëdhjetë prej tyre vdiqën pasi veshkat dhe organet e tjera të tyre nuk funksiononin, sipas policisë, ndërsa katër të tjerë mbetën me pasoja të rënda.

Goyal nga kompania “Digital” ka thënë për Reuters se shurupi Coldbest-Pc nuk mund të kishte vrarë fëmijët në Jammu, sepse vdekjet kishin ndodhur në një rajon, ndërsa kompanitë e tij furnizuan 5.575 shishe në tetë rajone gjithsej.

“Nëse diçka nuk shkonte me produktin tonë, fëmijët do të kishin vdekur gjithashtu diku tjetër”, ka treguar Goyal, 60 vjeç.

“Nuk po them se të gjithë ata që konsumuan shurupin do të kishin vdekur, por nëse do të ishte helmues, do të kishte vrarë të paktën 100 fëmijë”.

Dhjetëra ekspertë të intervistuar nga Reuters kanë thënë se argumenti i Goyalit nuk ishte bindës. Disa variabla mund të shpjegojnë modelin e vdekjeve, ata thanë: Për shembull, çdo grup i vetëm mund të ketë përdorur fuqi të ndryshme të të njëjtit përbërës. Dhe fëmijët janë më të rrezikuar nga helmimi nga dietilen glikoli (DEG).

“Helmimi varet nga doza dhe mosha e fëmijës”, ka thënë Hoppu, eksperti i helmeve dhe ilaçeve pediatrike. “Sa më shumë doza merr një fëmijë, aq më shumë ka gjasa që ai të dëmtojë veshkat”.

Shtatë rajonet e tjera tërhoqën Coldbest në shkurt 2020. Autoritetet federale gjetën toksina në mostrat e shitura në katër shtete, sipas dokumenteve të gjykatës dhe qeverisë. Në Haryana, një mostër kishte 35.87% dietilen glikol - më e larta nga të gjitha.

Një nga shtetet, Tamil Nadu, ka thënë për Reuters se asnjë vdekje nuk ishte lidhur me shurupin, por tha se po kërkonte veprime ligjore kundër kompanisë dhe pronarëve të saj për shitjen e barnave të falsifikuara.

Të tjerët nuk u përgjigjën. Reuters nuk mund të përcaktojë se sa ilaçe ishin shitur jashtë qytetit Jammu ose nëse dikush ishte dëmtuar.

Mungesa e testimit

Mes protestave ndërkombëtare, qeveria e kryeministrit, Narendra Modi, dyfishoi kërkesat e testimit në qershor, duke futur rregullin e ri që të gjitha shurupet e kollës për eksport duhet të kontrollohen në laboratorët qeveritarë. Ministri i Shëndetësisë, Mansukh Mandaviya, tha se më shumë se 900 mostra të shurupit të kollës janë hequr nga përdorimi pas testimeve.

Mandaviya i ka thënë parlamentit në gusht se autoritetet kishin inspektuar 162 fabrika të drogës që nga vdekjet e shurupit të kollës jashtë shtetit dhe gjetën shkelje të mundshme në 143 prej tyre – gati nëntë në 10.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar në gusht se inspektimet e fabrikave të barnave gjetën një “mungesë të testimit të lëndëve të para në hyrje”. Ajo u dha të gjitha kompanive deri në një vit për të rregulluar atë mangësi dhe për të përmbushur standardet ndërkombëtare të prodhimit të vendosura nga OBSH. Ministria tha se më pak se një e katërta e 8.500 fabrikave të vogla të drogës në Indi i përmbushin këto aktualisht.

Por India nuk i rriti kërkesat e testimit për tregun e brendshëm.

Drejtuesit e industrisë janë ankuar për koston e testeve shtesë për eksportet dhe i kërkuan qeverisë ta mbulojë këtë, sipas komunikimeve që ka analizuar Reuters.

Në qershor, një shoqatë kombëtare e bizneseve të vogla pranë Partisë Bharatiya Janata të Modiit (BJP), e quajtur Laghu Udyog Bharati, i shkroi Ministrisë së Shëndetësisë se inspektimi i fabrikave të barnave, produktet e të cilave ishin gjetur nën standarde, ishte “dënim me vdekje” për kompanitë e vogla.

Grupi më vonë tërhoqi letrën, për të cilën presidenti i krahut të tij farmaceutik, Rajesh Gupta, i ka thënë Reutersit se ishte lëshuar pa dashje nga një zyrtar për “baza emocionale”. Ai nuk pranoi të identifikonte zyrtarin.

“Ne nuk jemi kundër qeverisë për inspektimet e cilësisë”, ka theksuar Gupta. “Është e drejta e rregullatorit të inspektojë, por kjo duhet të bëhet në mënyrë miqësore dhe jo në mënyrën e një bastisjeje, e cila krijon frikë”.

Ai ka theksuar gjithashtu se afati i fundit për fabrikat e vogla për të përmbushur standardet e prodhimit të OBSH-së do të çonte në mbylljen e gati gjysmës së tyre, sepse ato tashmë janë me borxhe të mëdha. Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj një kërkese për koment. OBSH-ja nuk pranoi të komentojë.

Goyal i “Digital Vision” ka njoftuar se shitjet e kompanisë së tij tani janë kthyer në nivelet e paravitit 2020, deri në 400 milionë rupi në vit, dhe ai po rrit eksportet.

Një kompani në pronësi të Goyalit e quajtur “Vellinton Healthcare” po regjistrohet për të shitur barna në tetë vende, përfshirë Ganën, Etiopinë dhe Afganistanin. Ajo ka eksportuar në vende duke përfshirë Turkmenistanin që nga viti i kaluar, ka thënë ai.

“Tashmë vizioni ynë është kryesisht eksporti. Nuk ka pothuajse asnjë para në tregun e brendshëm”, ka treguar Goyal. “Konkurrenca është e ashpër dhe e pashëndetshme. Cilësia nuk ruhet”.

Në Jammu, Reuters foli me familjet e gjashtë prej fëmijëve të vdekur. Din çoi një gazetar në varrezat kodrinore, ku është varrosur Irfani. Ashtu si prindërit e pesë të tjerëve, ai tha se dëshiron që prodhuesit e këtij shurupi të ndëshkohen.

“Kërkoj masa të rrepta ndaj tyre”, ka theksuar babai 27-vjeçar. “Ka kaluar tashmë shumë kohë”.

Kompanitë e dyshimta

Vdekjet e 12 fëmijëve në Indinë veriore midis dhjetorit 2019 dhe janarit 2020, pretendon policia, u shkaktuan nga shurupi i falsifikuar i kollës i prodhuar nga prodhuesi i drogës “Digital Vision”. Nuk ishte hera e parë që medikamentet e kompanisë janë vënë nën hetim dhe testim.

Rregullatorët indianë të barnave gjetën mungesa të cilësisë në barnat e prodhuara nga “Digital” dhe njësia e saj “Orison Pharmaceuticals” të paktën 22 herë midis 2012 dhe korrikut të këtij viti, sipas një rishikimi të Reuters të të dhënave nga pesë shtete dhe rregullatorit federal të barnave të Indisë CDSCO.

Sipas të dhënave, ilaçet ose nuk përmbanin vëllimin e pretenduar të përbërësve, ose nuk shpërndaheshin mjaft shpejt për t’u përthithur nga trupi.

Themeluesi i “Digital Vision”, Parshottam Goyal i minimizoi mungesat. “Mostrat e barnave të çdo kompanie dështojnë në disa kritere herë pas here: mospërputhje të vogla në sasinë e ilaçeve dhe gjëra të tilla”, i tha ai Reutersit, kur u pyet për paralajmërimet e rregullatorëve.

Testet nga laboratorët qeveritarë në vitin 2020 zbuluan se një grumbull i shurupit të kollës COLDBEST-PC të “Digital Vision”, i marrë nga fëmijët në rajonin verior të Jammus dhe Kashmirit, përmbante nivele të larta të kimikateve toksike. Kompania e ka mohuar këtë dhe ka treguar se shurupi i saj nuk ishte fajtor për valën e helmimeve, pa dhënë prova.

“Maiden Pharmaceuticals” – shurupet e së cilës për kollën kanë qenë të lidhura me vdekjen e të paktën 70 fëmijëve në Gambi vitin e kaluar – ishte paralajmëruar gjithashtu nga rregullatorët për mungesat e cilësisë në disa prej barnave të saj.

Rregullatorët zbuluan se të paktën 10 ilaçe të prodhuara në Indi nga Maiden ishin “jo të cilësisë standarde”, sipas të dhënave të ndara nga Departamenti i Farmaceutikëve të Indisë me parlamentin në mars. Shteti lindor i Biharit në vitin 2011 e ndaloi kompaninë për pesë vjet për shitjen e ilaçeve nën standarde atje.

Ministria e shëndetësisë e Indisë dhe CDSCO-ja nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

“Maiden”, e cila ka mohuar se shurupi i saj i kollës ishte përgjegjës për vdekjet në Gambia, nuk iu përgjigj kërkesave për koment për këtë histori.

Kur “Maiden” prodhoi shurupet e eksportuara në Gambia në fund të vitit 2021, themeluesi i saj, Naresh Kumar Goyal, dhe drejtori teknik, Mahender Kumar Sharma, ishin tashmë me kusht që nga marsi 2018 në një çështje të veçantë me akuzat për ruajtjen e paligjshme të ilaçeve nën standarde, sipas dokumenteve nga një gjykatë në shtetin Haryana.

Goyal nuk iu përgjigj kërkesave për koment; Sharma nuk pati qasje.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se inspektorët vizituan fabrikën e Maiden në vitin 2014, pasi Vietnami e kishte ndaluar kompaninë vitin e kaluar për gjoja shitjen e një ilaçi tjetër për urthin atje që nuk plotësonte specifikimet.

Avokatët e Maidenit i thanë gjykatës në Haryana që testimi i saj kishte treguar se droga e zbuluar nga inspektorët indianë ishte e mangët dhe se nuk kishte ndërmend t’i shiste ato.

Mirëpo, gjykata në shkurt të këtij viti ka zbuluar se “ilaçe me cilësi nën standard mbaheshin me qëllim të shitjes së tyre për të nxjerrë përfitime të panevojshme” dhe se “lloje të tillë barnash të cilësisë nën standard u eksportuan gjithashtu” në Vietnam.

Ajo e ka dënuar Goyalin dhe Sharman me dy vjet e gjysmë burg. Ata u deklaruan të pafajshëm, apeluan në një gjykatë më të lartë dhe kanë qenë sërish me kusht që nga marsi, ndërkohë që kërkesa e tyre po shqyrtohet.

Fund.

Përktheu: Blerta Haxhiu

Pjesa e parë 

Pjesa e dytë