Botë

Shërbimi Sekret i SHBA-së ka “mangësi të thella”, thuhet në raport

Donald Trump

Foto: Associated Press

Shërbimi Sekret i SHBA-së “ka të meta të thella” që duhet të zgjidhen urgjentisht përndryshe do të ketë edhe më tepër tentim vrasjesh si ajo ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, thuhet në një raport, transmeton “BBC”. 

Një panel i pavarur, i angazhuar për ta hetuar atentatin ndaj Trumpit në një tubim në Butler të Pennsylvanisë më 13 korrik, ka publikuar të enjten gjetjet dhe tha se Shërbimi Sekret është bërë tepër “burokratik, i vetëkënaqur dhe statik”. 

Në raportin 52-faqësh bëhet thirrje për një rishikim të lidershipit të Shërbimit Sekret dhe u tha se “një numër dështimesh specifike” mundësuan sulmin kundër Trumpit. 

Shërbimi Sekret kishte pranuar dështimet nga ana e tij dhe drejtoresha dha dorëheqje disa javë pas të shtënave. 

Në një deklaratë për media të enjten, ushtruesi i detyrës i drejtorit të  Shërbimit Sekret të SHBA-së, Ronald Rowe, ka thënë se do ta shqyrtojë me sukses raportin. 

“Ne kemi përmirësuar dukshëm gatishmërinë, operacionalitetin dhe komunikimet dhe kemi zbatuar operacione të zgjeruara mbrojtëse për ish-presidentin”, tha ai. 

Në raport, që u përpilua nga zyrtarë të lartë shtetërorë e kombëtarë të zbatimit të ligjit, vlerësohen lartë agjentët e Shërbimit Sekret që rrezikojnë jetën e tyre për t’i mbrojtur zyrtarët e lartë, por janë vënë në pah disa dështime. 

Në dështime përfshinin “mungesën shqetësuese të menduarit kritik” mes stafit dhe një hezitim për të “folur”.