Botë

Problemet tregtare SHBA - Kolumbi kërcënojnë importimin e luleve në prag të Shën Valentinit

kultivimi i luleve ne Kolumbi

Foto: Associated Press

Kërcënimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për vendosjen e tarifave 25% në importet e Kolumbisë kanë ardhur në kohën më të papërshtatshme. Problemet si pasojë e mospranimit nga Kolumbia të dy aeroplanëve me imigrantë ilegalë të kthyer mbrapsht nga SHBA-ja, kanë ardhur tri javë para ditës së Shën Valentinit. Kolumbia është burimi kryesor i importimit të luleve në SHBA. 

Por romantikët ndoshta mund të kursehen nga ky konfrontim tregtar. Shtëpia e Bardhë ka shpallur fitoren të dielën, duke njoftuar se Kolumbia është tërhequr dhe ka pranuar aeroplanët, disa orë pasi Trumpi kërcënoi të vendosë ndalesa në vizat e zyrtarëve si shtesë ndaj tarifave, mbi aleatin e tij të vjetër në Amerikën Jugore, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar se tarifat ndaj mallrave kolumbiane do të pezullohen, por shtoi se ndalesat në vizat e zyrtarëve dhe kontrolli i shtuar nga dogana do të qëndrojnë “derisa aeroplani i parë me imigrantë kolumbianë është kthyer suksesshëm nga SHBA-ja”. 

Më herët, presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, kishte refuzuar pranimin e dy aeroplanëve ushtarakë amerikanë me imigrantë kolumbianë të uleshin në Kolumbi. Petro akuzoi Trumpin se nuk i kishte trajtuar imigrantët me dinjitet gjatë kthimit të tyre dhe e ka kërcënuar me reciprocitet ndaj SHBA-së duke vendosur tarifë 25% produkteve nga SHBA-ja. 

Qeveria e Kolumbisë ka dhënë shenja se problemi kishte përfunduar. 

“Kemi kaluar ngërçin me qeverinë e SHBA-së, dhe ne do të vazhdojmë të pranojmë kolumbianët që kthehen si imigrantë, duke ju garantuar atyre kushte të përshtatshme si qytetarë me të drejta”, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Kolumbisë, Luis Gilberto Murillo. 

SHBA është tregu më i madh i eksportit të Kolumbisë, por ato përbëjnë vetëm 0.5% të importeve të mallrave nga SHBA-ja, duke u renditur si importuesi i 26-të më i madh i mallrave në SHBA.

Nga janari deri në nëntor, SHBA-ja ka shënuar 1 miliard dollarë suficit me Kolumbinë, SHBA-ja eksporton 17.2 miliardë dollarë në Kolumbi përfshirë sojë dhe pambuk – në krahasim me importin nga Kolumbia pre 16.2 miliardësh.

Këtu janë eksportet më të mëdha të Kolumbisë në SHBA: 

Lulet

Gjatë nëntorit, SHBA-ja ka importuar 1.14 miliard dollarë lule nga Kolumbia, më shumë se sa ka blerë gjatë tërë 2023-tës, në bazë të Departamentit të SHBA-së për Agrikulturë (USDA). 
Kolumbia ka një klimë dhe tokë ideale për rritjen e luleve si trëndafilat, karajfilet dhe disa lloje të tjera. Pjesa më e madhe e kultivimit zhvillohet në savanat rreth kryeqytetit Bogota. Temperaturat janë të buta, dielli shndritë 12-orë në ditë, dhe lulet rriten gjatë tërë vitit. 
Paratë ndihmë nga qeveria e SHBA-së ka mbështetur industrinë kolumbiane të luleve, duke krijuar punë për popullin e zhvendosur nga terroristët – dhe dhuna e lidhur me narkotikë.

Kafeja 

Kolumbia është burimi i dytë më i madh i kafes pas Brazilit. USDA ka njoftuar se importet e kafes së SHBA-së nga Kolumbia arritën vlerën 1.4 miliard dollarë nga janari deri në nëntor të vitit të kaluar, edhe pse ka pësuar një rënie të lehtë nga periudha e njëjtë e vitit 2023. 
Për dekada, kafeja kolumbiane është shitur në SHBA përmes reklamave që pasqyrojnë një fermer të trilluar Juan Valdez, i parë shpesh duke mbajtur thasë me kokrra kafeje. 

Nafta e papërpunuar 

Eksporti më i madh i Kolumbisë në SHBA është nafta e papërpunuar. Gjatë nëntorit, SHBA-ja ka importuar 70 milionë barela me naftë të papërpunuar nga Kolumbia, me vlerë pothuajse 5.4 miliardë dollarë. Në vitin 2023, SHBA-ja kishte importuar 5.6 miliardë dollarë naftë nga Kolumbia. 
Kolumbia ishe e gjashta në importet e naftës së papërpunuar nga SHBA-ja, rreth 3% të importeve të naftës gjatë 2023-tës. Gjiganti i naftës Ecopetrol nga Kolumbia është në mesin e 500 kompanive më të mëdha në botë.