Drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kimberly Cheatle, ka thënë se atentati ndaj ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka qenë “dështimi më i madh operacional i Shërbimit Sekret në dekada”, raporton “BBC”.
Cheatle ka dëshmuar para një Komiteti të Kongresit në lidhje me atentatin ndaj Trumpit më 13 korrik.
Në tentimvrasjen, Trump kishte marrë lëndim në veshin e djathtë. Në atentatin që u tha se u krye nga Matthew Crooks 20-vjeçar, u vra një person e u plagosën dy tjerë. Crooks u qëllua më pas nga një snajperist i Shërbimit Sekret.
Cheatle i ka shprehur ngushëllime familjes së Corey Comperatores, që mbeti i vrarë në atentatin. Ajo i ka kërkuar falje po ashtu ish-presidentit Trump.
Ajo ka thënë se Shërbimi Sekret dështoi më 13 korrik dhe se e merr përgjegjësinë e plotë.
“Misioni i Shërbimit Sekret është t’i mbrojë liderët e kombit. Më 13 korrik, ne dështuam. Ne duhet të kuptojmë se çfarë ndodhi dhe do të lëvizi çdo gjë që një incident si më 13 korrik të mos ndodhë më”, ka thënë Cheatle, ndërsa ka shtuar se “merr përgjegjësinë për çdo lëshim të sigurisë”.
Ajo ka thënë se policia lokale në Butler të Pennsylvanias nuk ka pasur faj në rastin.
Cheatle ka thënë se është shumë krenare më veprimet e marra nga agjentët për ta mbajtur të sigurt ish-presidentin Trump.
“Ata e mbrojtën ish-presidentin Trump me trupat e tyre në skenë ndërsa po vazhdohej të shtihej me armë, donin të sakrifikoheshin pa hezitim”, tha Cheatle.
Ligjvënësit më pas kanë marrë në pyetje Cheatlen dhe madje edhe i kanë thënë se po të vritej Trump ajo do të ishte përgjegjëse.
Ligjvënësit demokratë e republikanë kanë kërkuar nga Cheatle të japë dorëheqje. Por, ajo tha se është e duhura për postin.
Cheatle gjatë dëshmisë ka thënë se Shërbimi Sekret duhet të përforcohet edhe me 1500 persona shtesë për t’i përmbushur kërkesat. Aktualisht janë 8000 të punësuar.
Cheatle ka thënë se nuk ka dëshmi se atentati është organizuar nga një shtet i huaj.