Botë

Shefi ushtarak i Izraelit jep dorëheqje për shkak të sulmit të 7 tetorit nga Hamasi

Herzi Halevi

Foto: Associated Press

Shefi i shtabit ushtarak të Izraelit, gjenerallejtënant Herzi Halevi, ka thënë se do të japë dorëheqjen në mars për dështimin për të parandaluar sulmin e 7 tetorit nga Hamasi, që shkaktoi edhe luftën 15-mujore në Gaza.

“Si rezultat i përgjegjësisë sime për dështimin e IDF-së më 7 tetor, dhe në një kohë kur ushtria ka shënuar arritje të jashtëzakonshme në rivendosjen e parandalimit dhe forcës së Izraelit, dëshiroj të përfundoj mandatin tim më 6 mars 2025“, ka thënë Halevi në një letër drejtuar kryeministrit dhe ministrit të Mbrojtjes të Izraelit. 

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz i kishte dhënë Halevit një afat deri më 30 janar për të përfunduar hetimet e brendshme ushtarake për dështimin për të parandaluar sulmin e Hamasit më 7 tetor 2023.

Dorëheqja e Halevit shënon largimin e zyrtarit izraelit të profilit më të lartë, të lidhur me dështimet e institucionit të sigurisë më 7 tetor. 

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka refuzuar të marrë përgjegjësinë për këto dështime, duke deklaruar se përgjegjësia do të vendoset vetëm pas luftës.

Në një deklaratë, zyra e Kryeministrit ka thënë se Netanyahu ka folur me Halevin të martën dhe "falënderoi Shefin e Shtabit për shërbimin e tij të gjatë dhe komandën e tij të IDF-së".

Dorëheqja vjen vetëm disa ditë pasi një armëpushim me Hamasin hyri në fuqi në Gaza. Diskutimet për një fund të përhershëm të luftës, sipas marrëveshjes, duhet të fillojnë më 4 shkurt.