Botë

Shefi i OKB-së: Paguani ose përballuni me fatkeqësitë e shkaktuara nga klima

Antonio Guterres

Foto: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres u ka thënë liderëve në samitin e COP29-s të martën, “të paguajnë” për parandalimin e fatkeqësive klimatike të shkaktuara nga njerëzit dhe ka thënë se po mbaron koha për ta kufizuar rritjen shkatërruese të temperaturave globale, raporton Reuters.

Gati 200 kombe janë mbledhur për samitin vjetor të OKB-së në Baku, i fokusuar këtë vit në mbledhjen e qindra miliarda dollarëve për ta furnizuar kalimin në burime më të pastra të energjisë dhe për ta limituar dëmin klimatik të shkaktuar nga emetimet e karbonit. Por në ditën e samitit të dizajnuar për t’i bërë bashkë liderët e botës dhe për të krijuar momentum politik për negociata, shumë nga udhëheqësit nuk ishin të pranishëm për ta dëgjuar mesazhin e Guterresit.

Për shkak të fitores së Donald Trumpit, mohues i ndryshimeve klimatike në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së, presidenti aktual, Joe Biden nuk do të marrë pjesë. Presidenti kinez, Xi Jinping ka dërguar një deputet dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nuk është duke marrë pjesë për shkak të zhvillimeve politike në Bruksel.

“Sa i përket financës për klimën, bota duhet të paguajë, ose njerëzimi do ta paguajë çmimin”, ka thënë Guterresi në një fjalim. “Zhurma që dëgjoni është ora që troket. Jemi në numërimin përfundimtar për ta kufizuar rritjen e temperaturës globale për 1.5 gradë Celsius dhe koha nuk është në anën tonë”.

Ky vit do të jetë më i nxehti në rekord.

Shkencëtarët thonë se provat tregojnë se ngrohja globale dhe ndikimet e saj po ndodhin më shpejt sesa që pritej dhe se është e mundur që botës veç se i është rritur temperatura me 1.5 gradë Celsius mbi temperaturën mesatare para-industriale - prag kritik përtej të cilit ajo është në rrezik të pakthyeshëm të ndryshimit ekstrem të klimës.

Teksa filloi COP29-a, zjarret në bregun lindor të SHBA-së që shkaktuan paralajmërime për cilësinë e ajrit në New York vazhduan të rriteshin. Në Spanjë, të mbijetuarit po përballen me përmbytjet më të këqija në historinë moderne të vendit dhe qeveria spanjolle ka shpallur pako të ndihmës prej miliarda eurosh për rindërtim.