Botë

Shefi i OBSH-së thotë se tigrejasit e Etiopisë po vuajnë më shumë se ukrainasit

Foto: Reuters / ilustrim

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e ka përshkruar krizën e vazhdueshme në rajonin Tigrej të Etiopisë si “katastrofën më të madhe në Tokë” dhe ka shprehur dyshimin se liderët e botës nuk kanë reaguar vetëm për shkak të ngjyrës së banorëve të Tigrejt.

Në një adresim emocional, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së - vetë tigrej etnik nga Kenia, ka thënë se situata e shkaktuara nga konflikti i vazhdueshëm në vendlindjen e tij ka shkaktuar krizë më të madhe humanitare kudo tjetër në botë.

“Është një katastrofë botërore serioze, nëse kini parasysh Ukrainën. Sidomos kur merrni me mend çfarë mund të ndodhë në të ardhmen. Dëgjojmë për incidente bërthamore. Madje, kam frikë se po rrëshqasim në një luftë bërthamore. Por nëse merrni parasysh krizat humanitare, mund t’ju them se kriza humanitare në Tigrej është më e madhe se ajo në Ukrainë, pa e tepruar fare. Dhe e kam thënë shumë kohë më parë se mbase një prej arsyeve është ngjyra e njerëzve në Tigrej”, ka thënë Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Tedros ka thënë se më shumë se gjashtë milionë njerëz në Tigrej kanë mbetur të rrethuar e pa kontakt me pjesën tjetër të botës qe 21 muaj.

Ai kishte sfiduar muaj më parë fokusimin e botës në luftën e Rusisë në Ukrainë, megjithëse e kishte pranuar se ka pasoja botërore.

Konflikti në Etiopi ka nisur në nëntor të vitit 2020, dhe pak ndihma humanitare kanë mbërritur në vend në qershorin e vitit të kaluar. Muajve të fundit janë shpeshtuar ndihmat humanitare, por po konsiderohen si joadekuate krahasuar me nevojat e banorëve të zonës në konflikt.

Në Tigrej mungojnë shërbimet elementare, derisa liderëve të zonës u janë bllokuar edhe llogaritë bankare. Qeveria e Etiopisë nuk po i lejon gazetarët të kenë qasje në Tigrej.

Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje që banorëve të Tigrejt t’u lejohet qasja në ilaçe, telekomunikime dhe lejekalimi. Tedros u ka bërë thirrje Kenisë dhe Rusisë që t’u japin fund krizave në Tigrej dhe në Ukrainë.

Qeveria etiope ka bërë të ditur se komiteti i paqes ka dalë me një propozim për paqe për të nënshkruar marrëveshje armëpushimi dhe se propozimi do të diskutohet edhe me Unionin Afrikan si ndërmjetësues me kryengritësit e Tigrejt.