Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, në paraqitjen e tij të parë në Parlamentin Evropian ka kërkuar që vendet evropiane ta rrisin dukshëm investimet e tyre në mbrojtje, sepse siguria që sot gëzojnë s’mund të jetë e garantuar me kapacitetet ekzistuese.
Rutte ka shprehur bindjen se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të jenë të përkushtuara ndaj NATO-s, por i ka dhënë të drejtë edhe presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump se vendet evropiane duhet në investojnë më shumë në mbrojtje.
Shefi i NATO-s ka thënë se është iluzion që të formohet një “NATO Evropiane” pa SHBA-në, së paku në 20 vjetët e ardhshme, pasi për një gjë të tillë vendet evropiane do të duhej të ndajnë 8 për qind për mbrojtje nga bruto prodhimi i tyre vendor.
“Mbi 60 për qind e investimeve në mbrojtje, që në total bëjnë të gjitha vendet e NATO-s, janë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra të gjitha 31 vendet tjera, përfshirë edhe Kanadanë, ndajnë më pak se 40 për qind. Kjo dëshmon se sa iluzion është një NATO e fortë pa Amerikën. Dhe një NATO e tillë nuk na nevojitet pasi kjo që kemi na ka shërbyer kaq mirë që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Rutte.
Momentalisht kërkesë e NATO-s është që vendet e saja anëtare të ndajnë së paku 2 për qind nga BPV për mbrojtje. Për këtë të gjitha vendet anëtare ishin pajtuar qysh para dhjetë vjetësh. Por deri me tash vetëm dy të tretat e anëtarëve e kanë arritur këtë nivel. Ndërkohë, Mark Rutte tërheq vërejtjen, se situata në botë ka ndryshuar, rreziqet për sigurinë janë aq të mëdha, sa që 2 për qind është e pamjaftueshme. Ai sugjeron që kjo të rritet së paku në 3.7 për qind.
“Ne sot kemi siguri, por nuk do ta kemi në pesë vjetët e ardhshme. Pra ose investoni më shumë në mbrojtje ose regjistrohuni në një kurs të gjuhës ruse apo shkoni në Zelandën e Re”, u ka thënë Rutte deputetëve të Parlamentit Evropian, duke kërkuar nga ata që të ndihmojnë në rritjen e investimeve në mbrojtje.
Rutte ka thënë se duhet të vazhdohet bashkëpunimi mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian, të evitohet duplifikimi i detyrave dhe kapaciteteve, dhe se ky bashkëpunim është i nevojshëm për tu përballur me kërcënimet nga Rusia, por gjithnjë e më shumë edhe nga Kina, Irani dhe Koreja e Veriut që po lidhin aleancë me Rusinë.