Botë

Shefi i NATO-s dëshiron ta shohë Ukrainën në një pozitë të mirë para bisedimeve të paqes

Mark Rutte

Foto: Associated Press

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar se dëshiron të diskutojë mënyra për ta vendosur Ukrainën në një pozicion të fortë për çdo bisedim të ardhshëm të paqes me Rusinë. 

Rutte i ka bërë këto komente në një takim të mërkurën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe një grup të vogël liderësh evropianë në Bruksel, raporton AP. 

Por Rutte është shfaqur i frustruar nga shtimi i spekulimeve në kryeqytetet e NATO-s se kur mund të fillojnë ato bisedime paqeje dhe nëse do të përfshiheshin paqeruajtësit evropianë, duke thënë se të folurit publikisht për këtë është vetëm në dobi të presidentit rus, Vladimir Putin.

Rutte ka deklaruar se qëllimi me Zelenskyn është të sigurohej se si Ukraina mund të arrijë në një pozicion të fortë.

I pyetur nga gazetarët për detaje se si mund të duken bisedimet e paqes, Rutte ka thënë se kushtet e çdo bisedimi duhet t'i takojnë Ukrainës dhe rusëve dhe të gjithë të tjerëve që mund të ulen në tryezën e bisedimeve, por ai nuk pranoi të thoshte më shumë.

“Nëse tani fillojmë të diskutojmë mes vete se si mund të duket një marrëveshje, ne e bëjmë kaq të lehtë për rusët”, ka deklaruar Rutte.