Botë

SHBA-ja zhvillon sot bisedime me evropianët për Ukrainën

Steve Witkoff

Steve Witkoff

Foto: Associated Press

I dërguari special i Donald Trumpit, Steve Witkoff dhe kryediplomati, Marco Rubio do të zhvillojnë të enjten bisedime me homologët evropianë në Paris lidhur me përpjekjet për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Bisedimet, në të cilat do të marrë pjesë edhe sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy paraqesin nivelin më të lartë të angazhimit transatlantik rreth luftës që nga shkurti, raporton BBC.

Muajt e fundit, qeveria amerikane nuk ka nxituar shumë të konsultohet me aleatët e saj evropianë.
Witkoff dhe Rubio do të takohen po ashtu me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe ekipin e tij.

Sekretari amerikan i shtetit më pas do të zhvillojë bisedime me Lammyn së bashku me homologët francezë dhe gjermanë. Këshilltarët evropianë të sigurisë kombëtare do të përfshihen gjithashtu.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se fokusi do të jetë se si t'i jepet fund luftimeve në Ukrainë dhe Witkoff do të raportojë për takimin e tij me presidentin rus, Vladimir Putin javën e kaluar.

Diplomatët evropianë kanë thënë se do t'i kërkonin SHBA-së të ushtrojë më shumë presion ndaj Rusisë për të rënë dakord për një armëpushim pa kushte.

Nisin takimet mes zyrtarëve amerikanë dhe evropianë për Ukrainën

2 d. më parë / 17 pri 2025 13:04
Steve Witkoff

Photo: Associated Press

I dërguari presidencial i SHBA-së, Steve Witkoff, është takuar të enjten në Paris me zyrtarë francezë dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Powell.

Parisi po pret të enjten një seri bisedimesh për Ukrainën dhe sigurinë e saj, duke përfshirë sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, Witkoff, presidentin francez, Emmanuel Macron dhe zyrtarë të lartë ukrainas, raporton AP.

Rubio ka mbërritur në Paris të enjten në mëngjes.

Rubio dhe Witkoff do të kenë "bisedime me homologët evropianë për të çuar përpara qëllimin e presidentit Trump për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë dhe për të ndaluar gjakderdhjen", ka thënë zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

Takimet vijnë pas rritjes së shqetësimeve për gatishmërinë e Trumpit për t'u afruar më shumë me Rusinë, ndërsa ai kërkon të ndërmjetësojë një armëpushim në Ukrainë, po ashtu lidhur me lëvizjet e tjera të administratës së tij, nga tarifat ndaj disa prej partnerëve të saj më të afërt e deri te retorika për NATO-n dhe Grenlandën.