Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka zhvendosur sistemet raketore Typhon – të cilat mund të godasin me raketa deri në mijëra kilometra – nga baza ajrore Laoag për në ishullin Luzon, ka njoftuar për agjencinë “Reuters” një zyrtar i Qeverisë së Filipineve në kushte anonimiteti.
Raketa lundruese Tomahawk në lëshueset Typhon, mund të godasë caqe në Rusi dhe Kinë nga Filipinet; raketa SM-6 mund të godasë edhe caqe ajrore ose detare nga më shumë se 200 kilometra larg.
Zyrtari ka treguar se zhvendosja ka ndihmuar për të llogaritur se ku dhe sa shpejt mund të lëvizin raketahedhësin në pozicionin e ri gjuajtës. Lëvizshmëria e tyre shihet si mënyrë e të mbijetuarit gjatë konfliktit.
Sistemi Typhon është pjesë e arsenalit të SHBA-së kundër shumë llojeve të anijeve në Azi.
Komanda Indo-Paqësore (INDOPACOM), e cila drejton forcat amerikane në rajon, ka thënë se
“Typhonët janë zhvendosur brenda Filipineve”. INDOPACOM dhe Qeveria e Filipineve kanë refuzuar të tregojnë lokacionin specifik të zhvendosjes.
“Qeveria e SHBA-së ka koordinuar nga afër me Qeverinë e Filipineve të gjitha aspektet për zhvendosjen e tyre, duke përfshirë edhe vendin”, ka deklaruar komandanti Matthew Comer i INDOPACOM.
Ai shtoi se zhvendosja nuk tregon se lëshuesit do të jenë përgjithmonë në Filipine.
Vendosja e këtyre armëve për herë të parë ka nxitur kritika të ashpra nga Kina në prill të 2024-tës gjatë një trajnimi. Në shtator, kur SHBA-ja tha se nuk e kishte në plan të largojë Typhonët nga Filipinet, Rusia dhe Kina reaguan duke e quajtur si nxitje për garë të armëve.