Agjencitë federale të Shteteve të Bashkuara thonë se hakerët iranianë u dërguan emaile individëve të lidhur me fushatën e presidentit Joe Biden, të cilat përmbanin pjesë të të dhënave të vjedhura dhe jopublike të fushatës së ish-presidentit Donald Trump
Hakerët iranianë kanë shpërndarë informacione për fushatën zgjedhore të Donald Trumpit te njerëzit që ishin të lidhur me fushatën e presidentit Joe Biden, sipas agjencive të inteligjencës amerikane dhe FBI-së, raporton "BBC".
Zyrtarët amerikanë besojnë se informacioni i marrë nga fushata e Trumpit është dërguar përmes emaileve në fund të qershorit dhe në fillim të korrikut te njerëzit e lidhur me fushatën e Joe Bidenit - përpara se Bideni të tërhiqej nga gara për president.
Deri tani nuk ka prova se hakerët kanë marrë ndonjë përgjigje nga marrësit e emaileve.
Në gusht, zyrtarët kanë paralajmëruar se Irani shpreson të “ngjallë mosmarrëveshje” dhe ta minojë besimin në institucionet e SHBA-së përpara zgjedhjeve të nëntorit.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Irani ka përdorur “inxhinieri sociale dhe përpjekje të tjera” për të gjetur qasje të drejtpërdrejtë në fushatat demokrate dhe republikane – taktikë që kanë thënë se është përdorur si nga Irani ashtu edhe nga Rusia në vendet e tjera të botës.
Në një deklaratë të lëshuar të mërkurën, Byroja Federale e Hetimeve (FBI) ka thënë se “autorët keqdashës iranianë kanë vazhduar përpjekjet e tyre që nga qershori për të dërguar materiale të vjedhura, jopublike lidhur me fushatën e ish-presidentit Trump në organizatat e mediave amerikane”.
Zëdhënësja e fushatës së Trumpit, Karoline Leavitt ka thënë se hakimi është provë se Irani është duke “ndërhyrë në zgjedhje për ta ndihmuar Kamala Harrisin dhe Joe Bidenin sepse e dinë që ish-presidenti Trump do t’i rivendosë sanksionet e tij të ashpra dhe do të qëndrojë kundër regjimit të tyre të terrorit”.
Ajo ka thënë se Bideni dhe Harrisi duhet të shpjegojnë se çfarë i ka ndodhur materialit të dërguar te bashkëpunëtorët e Bidenit.
“Çfarë dinë ata dhe kur e kanë ditur?”, ka pyetur Leavitt.
Ish-presidenti ka komentuar gjithashtu sa i përket hakimit të mërkurën, duke u thënë mbështetësve se “Irani u ka dhënë atyre materiale sepse Bideni po punon me Iranin”.
Morgan Finkelstein, zëdhënëse e fushatës Harris-Walz, ka thënë se fushata ka bashkëpunuar me autoritetet që kur e ka marrë vesh për hakimet.
“Nuk jemi në dijeni se ndonjë material është dërguar drejtpërdrejt në fushatë”, ka shtuar Finkelstein. “Disa individë janë shënjestruar në emailet e tyre personale me atë që duket të jetë përpjekje për të dëmtuar ose vjedhur informata të rëndësishme”.
Finkelstein ka shtuar se dënon “në termat më të fortë” çdo ndërhyrje të huaj në zgjedhje.
FBI-ja ka shtuar në deklaratë se zyrtarët kanë qenë në kontakt me viktimat e hakimit dhe do të vazhdojë të hetojë me shpresën e “ndalimit të veprimeve nga kryesit”.
Një përfaqësues i përhershëm i Iranit në OKB ka thënë se “Irani nuk ka asnjë motiv dhe as synim për të ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së; dhe për këtë arsye ai hedh poshtë akuzat e tilla”.