Rebelët Houthi të Jemenit kanë njoftuar se ka pasur sulme të reja amerikane kundër tyre, teksa numri i të vdekurve ka shkuar në 53, duke përfshirë pesë fëmijë.
Objektivat në zonat Al Jaouf dhe Hudaydah u goditën herët të hënën, sipas grupit rebel, ndërsa Komanda Qendrore e SHBA-së kanë konfirmuar se forcat e saj kanë vazhduar operacionet, raporton BBC.
SHBA-ja ka nisur atë që e ka quajtur një valë "vendimtare dhe të fuqishme" sulmesh ajrore ndaj objektivave Houthi të shtunën, si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar sulmet e Houthive ndaj anijeve në Detin e Kuq.
Uashingtoni thotë se disa figura kyçe të Houthi janë në mesin e të vdekurve, por grupi nuk e ka konfirmuar këtë.
Udhëheqësi i Houthit, Abdul Malik al-Houthi, ka thënë se militantët e tij do të vënë në cak anijet amerikane në Detin e Kuq për sa kohë që SHBA-ja vazhdon sulmet e saj në Jemen.
Duke përditësuar numrin e mëparshëm të të vdekurve, zëdhënësi i ministrisë së Shëndetësisë Houthi, Anis al-Asbahi, ka postuar në X se 53 persona janë vrarë duke përfshirë "pesë fëmijë dhe dy gra" dhe se 98 persona janë plagosur.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Michael Waltz, i ka thënë ABC Neës se sulmet e së shtunës "shënjestuan shumë liderë Houthi”.
“Ne thjesht i goditëm dhe e njoftuam Iranin se mjaft është mjaft”, ka thënë Waltz.
Ndërkaq sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, është zotuar për një fushatë raketore "të paepur" derisa të ndalojnë sulmet Houthi.
Houthi-t kanë thënë se do të vazhdojnë të synojnë anijet e Detit të Kuq derisa Izraeli të heqë bllokadën e Gazës dhe se forcat e tij do t'u përgjigjen sulmeve.
Grupi rebel i mbështetur nga Irani, i cili e konsideron Izraelin armikun e tij, kontrollon Sanaan dhe veriperëndimin e Jemenit.