Botë

SHBA-ja s'ishte në dijeni lidhur me shpalljen e gjendjes ushtarake në Kore të Jugut

Antony Blinken

Antony Blinken

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara nuk ishin në dijeni të vendimit të presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol për ta shpallur ligjin ushtarak, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken për Reuters të mërkurën, duke shtuar se po parashikon të flasë me homologun e tij jugkorean në ditët në vijim.

Yoon ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme ushtarake në Korenë e Jugut të martën, para se ta tërhiqte vendimin disa orë më vonë, pas përplasjes kaotike mes parlamentit dhe ushtrisë.

Duke folur në intervistë për Reuters në Bruksel, në prapavijat e takimit të ministrave të huaj të NATO-s, diplomati i lartë amerikan ka thënë se është jetike që procesi të zhvillohet në mënyrë paqësore tani e tutje dhe sipas sundimit të ligjit.

“Demokracia jugkoreane është një nga tregimet më të fuqishme në botë. Është shumë e rëndësishme që çdo mosmarrëveshje, ndryshim ose dallim politik, të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit. Kjo është ajo që po shohim tani. Kjo është e rëndësishme për t’u ruajtur”, ka thënë Blinkeni.

Washingtoni nuk ishte informuar më parë për vendimin e Koresë së Jugut, ka thënë ai.

“Kjo është e saktë, ne nuk ishim në dijeni”, ka thënë diplomati.