Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka marrë vendim që ta shtyjë për 30 ditë vendimin për të aplikuar 25 për qind tarifave ndaj mallrave të importuara nga Kanadaja, raporton “BBC”.
Vendimi ka ardhur pas bisedës telefonike që Trump ka pasur të hënën me kryeministrin kanadez Justin Trudeau.
Trudeau në një postim në platformën “X” ka thënë se do të punojnë së bashku me SHBA-në për të zgjidhur çështjet.
Ai ka njoftuar se Kanadaja do të zbatojë një plan kufitar 1.3 miliard dollarësh kanadezë duke shtuar helikopterë të rinj, teknologji dhe personel për t’u përkujdesur për kufirin dhe se do të “shtohen burimet për ta ndaluar rrjedhën e fentanylit”.
Ai ka thënë se afro 10 mijë trupa do të përkujdesen për mbrojtjen e kufirit. Do të shpallen kartelet e drogës si organizata terroriste dhe do të formohet një forcë e përbashkët SHBA – Kanada për ta luftuar krimin e organizuar, fentanylin dhe shpëlarjen e parave.
E presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se diskutimi me Trudeaun ka shkuar shumë mirë.
Ai ka konfirmuar vendimin për shtyrjen e aplikimit të tarifave.
"Kanadaja është pajtuar që të kemi një kufi verior të sigurtë", shkroi Trump në "Truth Social".
Ngjashëm SHBA-ja ka shtyrë edhe aplikimin e tarifave ndaj Meksikës për 30 ditë.
Trump pritet që të martën të bisedojë me presidentin e Kinës, Xi Jinping. Trump të shtunën nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke vendosur 25 për qind tarifa ndaj importeve nga Kanadaja e Meksika dhe 10 për qind tarifa mbi tarifat aktuale ndaj mallrave kineze. Vendimi ishte paraparë të hynte në fuqi të martën.
Tri vendet kishin premtuar të kundërpërgjigjen.