Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u përpoq të rikthente vëmendjen mbi kërcënimin e Kinës në Azi-Paqësor të shtunën, duke theksuar se konfliktet në Ukrainë dhe Gaza e kanë shpërqendruar Amerikën nga angazhimet e saj për sigurinë në rajon.
Vetëm disa orë pasi Austin foli në forumin vjetor “Shangri-La”, presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky, mbërriti në Singapor, ku do t’u drejtohet delegatëve në forumin e sigurisë të dielën. Ai pritet të zhvillojë bisedime me Lloyd Austin dhe udhëheqës të tjerë që marrin pjesë në konferencë, duke kërkuar mbështetje për një “samit paqeje” këtë muaj në Zvicër.
Austin u takua me homologun e tij kinez, Dong Jun, në një përpjekje për të lehtësuar tensionet mbi çështjet që variojnë nga Tajvani tek aktiviteti ushtarak i Kinës në Detin Jugor të Kinës, raporton Reuters.
“Pavarësisht këtyre përplasjeve historike në Evropë dhe Lindjen e Mesme, Indo-Paqësori ka mbetur çështja jonë primare”, tha Austin në fjalimin e tij.
Ndërkohë, gjenerallejtënanti kinez, Jing Jianfeng tha se strategjia e SHBA-së në Indo-Paqësor kishte për qëllim “të krijonte ndarje, të provokonte konfrontim dhe të minonte stabilitetin”.
Disa zyrtarë amerikanë thonë se Pekini është bërë më i guximshëm në vitet e fundit, duke nisur së fundmi ato që i përshkroi si stërvitje “ndëshkimi” rreth Tajvanit, duke dërguar avionë luftarakë të armatosur rëndë dhe duke inskenuar sulme pasi Lai Ching-te u inaugurua si president i Tajvanit.