Ambasadori i Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar, Valerii Zaluzhnyi, ka deklaruar se SHBA-ja po shkatërron rendin e vendosur botëror.
Duke kritikuar mënyrën e trajtimit të politikës së jashtme nga administrata e Trumpit, Zaluzhnyi ka thënë se Shtëpia e Bardhë ka "vënë në dyshim unitetin e të gjithë botës perëndimore", raporton BBC.
Komentet e tij vijnë pas një mosmarrëveshjeje publike mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe atij amerikan, Donald Trump në Zyrën Ovale të premten.
Kievi ka bërë përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Washingtonin ditët e fundit, pasi SHBA-ja ka ndërprerë ndihmën e saj ushtarake për Ukrainën dhe shkëmbimin e inteligjencës, në një përpjekje për të sjellë Zelenskyn në tryezën e bisedimeve.
Por komentet e Zaluzhnyi në një konferencë në Chatham House në Londër të enjten sugjerojnë se ka pakënaqësi për veprimet e SHBA-së.
"Ne shohim se nuk është vetëm boshti i së keqes dhe Rusia që përpiqen të rishikojnë rendin botëror, por SHBA-ja më në fund po e shkatërron këtë rend”, ka deklaruar ai.
I dërguari ukrainas ka shtuar se bisedimet midis SHBA-së dhe Rusisë, nga të cilat kjo e fundit "u kryesua nga një kriminel lufte", treguan se Shtëpia e Bardhë po bënte "hapa drejt Kremlinit”.
Zaluzhnyi, i cili mori detyrën si ambasador i Kievit në Londër në vitin 2024, pas tre vjetësh si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, sugjeroi gjithashtu se NATO-ja mund të pushojë së ekzistuari si rezultat i ndryshimit të qëndrimit të Ëashingtonit dhe paralajmëroi se objektivi i ardhshëm i Moskës "mund të jetë Evropa".
Ndërsa Zelensky ka shprehur dëshirën për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë shpejt, Kievi ka shprehur shqetësime për trajtimin e bisedimeve nga administrata Trump dhe lëshimet ndaj Moskës që mund të bëhen pa garanci sigurie për Ukrainën.
Trump u zotua gjatë fushatës elektorale të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës shpejt dhe një delegacion amerikan është takuar me një rus për bisedime paraprake në Arabinë Saudite muajin e kaluar, pa praninë e përfaqësuesve evropianë ose ukrainas.
LEXO EDHE: