Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, është duke përgatitur sanksione të reja ndaj Iranit, në përgjigje të sulmit të tij në drejtim të Izraelit të shtunën, ka raportuar të martën Axios, duke cituar një kopje të shënimeve të saj lidhur me çështjen.
“Thesari nuk do të hezitojë të punojë me aleatët për të përdorur autoritetin tonë të sanksioneve për të vazhduar ndaljen e regjimit malinj dhe aktivitetit destabilizues të Iranit”, pritet që Yellen të deklarojë të martën, sipas raportit të Axiosit, shkruan Reuters.
“Sulmi nga Irani dhe përfaqësuesit e tij nënvizon rëndësinë e punës së Thesarit për të përdorur mjetet tona ekonomike për të sulmuar aktivitetin malinj të Iranit”, raportohet se do të theksojë Yellen.
Yellen ka deklaruar më parë se veprimet e Iranit kërcënojnë stabilitetin në Lindjen e Mesme dhe mund të shkaktojnë probleme ekonomike, duke shtuar se SHBA-ja do të përdorë sanksionet dhe punën me aleatët.
Irani lansoi mbi 300 dronë e raketa në drejtim të Izraelit të shtunën mbrëma, në një sulm hakmarrës. Izraeli ka thënë se 99 për qind të tyre i shkatërroi.