Të enjten, Ambasada në Kabul ka lëshuar alarmin më të fundit, duke i nxitur amerikanët që “të largohen menjëherë nga Afganistani, me anë të fluturimeve të qasshme komerciale”. Departamenti i Shtetit ka njoftuar gjithashtu se SHBA-ja do të evakuojë pjesërisht Ambasadën
Pentagoni po angazhon me mijëra marinsa në evakuimin e stafit të Ambasadës dhe shtetasve të tjerë amerikanë nga Kabuli, teksa administrata e presidentit Joe Biden po përgatitet për rënien e mundshme të Qeverisë afgane brenda 30 ditësh, kanë bërë të ditur të enjten zyrtarë të lartë të administratës dhe ushtrisë.
Përkeqësimi i rëndë i gjendjes në Afganistan, përderisa talebanët po e avancojnë ngutshëm shtrirjen në veri dhe forcat afgane të sigurisë po luftojnë për mbrojtjen e territoreve përherë më të tkurrura në jug dhe perëndim, ka shtrënguar Departamentin e Mbrojtjes që t’i përshpejtojë planet për nxjerrjen e amerikanëve jashtë vendit, ka raportuar e përditshmja amerikane “New York Times”.
Të enjten, Ambasada në Kabul ka lëshuar alarmin më të fundit, duke i nxitur amerikanët që “të largohen menjëherë nga Afganistani, me anë të fluturimeve të qasshme komerciale”.
Departamenti i Shtetit ka njoftuar gjithashtu se SHBA-ja do të evakuojë pjesërisht Ambasadën.
Ned Price, zëdhënës i Departamentit, ka thënë para gazetarëve në Washington se reduktimi i paspecifikuar i numrit të civilëve mes përafërsisht 4.000 pjesëtarëve të personelit të Ambasadës – përfshirë rreth 1.400 shtetasit e tjerë amerikanë – do të ndodhë gjatë ditëve në vijim.
“Kemi thënë tërë kohës, tempi i shtuar i angazhimeve ushtarake talebane dhe rritja rezultuese e dhunës dhe jostabilitetit përreth Afganistanit përbëjnë shqetësim të thellë”, ka thënë ai. “E kemi vlerësuar situatën e sigurisë përditë për të përcaktuar se si t’i mbajmë të sigurt ata që shërbejnë në Ambasadën tonë”.
Parashikimi i përmendur 30-ditor, sipas “New York Timesit”, është skenar i mundshëm ndërsa zyrtarët e administratës dhe ata të ushtrisë insistojnë se rënia e Kabulit mund megjithëkëtë të shmanget, po qe se forcat afgane të sigurisë arrijnë ta rrisin rezistencë.
Talebanët e vënë nën kontroll gjatë së enjtes qytetin strategjik të Ghaznit, në jug të Kabulit, duke i siguruar grupit një pozicion më të mirë për ta sulmuar kryeqytetin pas një sërë fitoresh në veri.
Deri në fund të ditës, talebanët iu afruan ngadhënjimit edhe në Kandahar, qyteti ky i dytë më i madh në vend, si dhe në Herat afër kufirit me Iranin.
Një zyrtar i lartë i administratës Biden ka thënë për gazetën amerikane se talebanët mund së shpejti ta marrin Mazar-i-Sharifin, që tani është faktikisht i rrethuar nga talebanët. Një tjetër zyrtar amerikan ka përshkruar qëndrimet mbizotëruese në Shtëpinë e Bardhë si një gërshetim i alarmit dhe heqjes dorë.
Si rrjedhojë, NYT ka raportuar se tri kontingjente të marinsave janë vënë në gatishmëri për evakuimin e mundshëm të Ambasadës amerikane. Batalioni prej disa qindra pjesëtarësh është vënë në gatishmëri në një terren kompleks, porse të përshtatshëm për evakuim, kanë thënë zyrtarët që folën për gazetën amerikane.
Dhe si plan shtesë, në rast se ndonjë prej operacioneve të evakuimit të Ambasadës has në përballjen me talebanët, zyrtarët e Departamentit të Mbrojtjes kanë angazhuar me mijëra pjesëtarë të marinës për ta nisur një ushtrim trajnues që, po qe se shfaqet nevoja, të angazhohet menjëherë në evakuim, thanë zyrtarët.
Në planin fillestar të administratës Biden për Afganistanin, asnjëra prej këtyre nuk supozohej të ndodhte – të paktën jo kaq shpejt. Presidenti ka njoftuar në prill se trupat amerikane do të tërhiqeshin nga vendi deri më 11 shtator; mandej e afroi datën më 31 gusht, ndërsa tani janë tërhequr veçse pjesa më e madhe e tyre. Ky veprim ua la të hapur talebanëve fushën e veprimit, duke nxitur frikën mes afganëve për rikthim në ditët e errëta të shtypjes.
Leg2: Harta i paraqet territoret ku talebanët i kanë vënë nën kontroll sigurinë dhe shërbimet publike. Associated Press ka bërë të ditur se të dhënat e përdorura për këtë hartë nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur në të gjitha rastet