Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar Iranin për “pasoja të rënda” nëse sulmon Izraelin me raketa balistike.
Një zyrtar amerikan i cili ka folur në kushtet anonimiteti ka thënë për Associated Press se SHBA-ja po mbështet në mënyrë aktive përgatitjet mbrojtëse izraelite.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu lëshoi një paralajmërim të hënën për Iranin, i cili mbështet Hezbollahun në Liban dhe Hamasin në Gaza.
“Nuk ka askund në Lindjen e Mesme që Izraeli nuk mund të arrijë”, ka thënë Netanyahu, vetëm disa ditë pasi një sulm ajror në jug të Bejrutit vrau udhëheqësin e grupit libanez Hezbollah, Hassan Nasrallah.
Udhëheqësi ushtrues i detyrës së Hezbollahut, Naim Kassem, premtoi se grupi do të luftojë pas vdekjes të premten të shefit të tij prej kohësh, Hassan Nasrallah.
Izraeli ka vrarë gjithashtu disa nga komandantët kryesorë të grupit ditët e fundit. Kassem ka thënë se luftëtarët e grupit janë gati dhe komandantët e vrarë tashmë janë zëvendësuar.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë shkëmbyer sulme përtej kufirit me Libanin pothuajse çdo ditë që nga 8 tetori i vitit të kaluar, një ditë pasi Hamasi dërgoi luftëtarë në Izrael dhe ndezi luftën në Gaza.
