Botë

SHBA-ja paralajmëron Iranin për komplotet kundër Trumpit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë paralajmëruar qeverinë iraniane t’i ndalojë komplotet kundër republikanit, Donald Trump dhe ka thënë se Washingtoni do ta cilësojë çdo përpjekje të tillë si akt lufte, ka thënë një zyrtar amerikan.

Zyrtari, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se presidenti amerikan, Joe Biden, është lajmëruar shkurtimisht për kërcënimet dhe i ka kërkuar ekipit të tij për t’i adresuar komplotet iraniane ndaj amerikanëve, raporton Reuters.

Nën udhëheqjen e Bidenit, zyrtarët e lartë amerikanë u kanë dërguar mesazhe, liderëve të lartë të qeverisë iraniane, duke e paralajmëruar Teheranin që t’i ndalojë të gjitha komplotet kundër Trumpit dhe ish-zyrtarëve amerikanë, sipas zyrtarit.

Iranianëve u është thënë se Washingtoni do ta shihte si akt lufte, nëse do kishte atentat kundër Trumpit, ka thënë zyrtari.

Irani e ka mohuar ndërhyrjen në punët e SHBA-së. Teherani, nga ana tjetër, thotë se Washingtoni ka ndërhyrë në punët e tij për dekada, duke i përmendur ngjarjet që variojnë nga një grusht shteti i vitit 1953 kundër kryeministrit, e deri te vrasja e komandantit të tij ushtarak në vitin 2020 në një sulm me dron të SHBA-së.

Trumpi, tani po kërkon të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi i humbi zgjedhjet e vitit 2020 nga Bideni. Trump tani është në betejë kundër zëvendëspresidentes demokrate, Kamala Harris në garën për zgjedhjet e 5 nëntorit.

Ekipi i fushatës së Trumpit, më 24 shtator, tha se ai u informua nga zyrtarët e inteligjencës amerikane për kërcënimin e supozuar nga Irani.

Shtëpia e Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur nga afër kërcënimet iraniane kundër Trumpit për vite dhe paralajmëroi për “pasoja të rënda” nëse Teherani do ta sulmonte ndonjë shtetas amerikan.