Botë

SHBA-ja pa asnjë veprim edhe pse identifikoi 500 raste ku armët e veta lënduan civilët në Gaza

Palestinezet pas sulmeve ne Gaza

Foto: Ilustrim

Foto: Associated Press

Zyrtarët e Departamentit të Shtetit kanë identifikuar afër 500 raste të mundshme të dëmtimit të civilëve gjatë operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza që përfshijnë armë të ofruara nga SHBA-ja, por kjo e fundit nuk ka ndërmarrë veprime për asnjë prej tyre, kanë thënë tre burime.

Incidentet – disa prej të cilave mund të kenë shkelur të drejtën humanitare, sipas burimeve – janë regjistruar që nga 7 tetori 2023, kur nisi lufta në Gaza. Ato po mblidhen nga departamenti për Udhëzuesin për reagime ndaj incidenteve të dëmtimeve civile, një mekanizëm për gjurmimin dhe vlerësimin e keqpërdorimeve të armëve me origjinë nga SHBA-ja.

Burimet thonë se opsionet mund të ndryshojnë nga puna me qeverinë e Izraelit për të ndihmuar në zvogëlimin e dëmit, në suspendimin e licencave ekzistuese të eksportit të armëve apo mosdhënien e aprovimeve në të ardhmen, raportoi Guardian. 

“The Washington Post” fillimisht raportoi për afro 500 rastet.

Administrata Biden ka thënë se është e arsyeshme të vlerësohet se Izraeli ka shkelur të drejtën ndërkombëtare në konflikt, por vlerësimi i incidenteve individuale është “punë shumë e vështirë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

John Ramming Chappell, këshilltar ligjor në Qendrën për Civilët në Konflikt, ka thënë se administrata Biden vazhdimisht e ka lënë në dorën e autoriteteve izraelite duke refuzuar të kryejë vetë hetimet.

“Qeveria e SHBA-së gati se nuk ka bërë asgjë për të hetuar se si ushtria e Izraelit i përdorë armët e prodhuara në SHBA dhe të paguara nga taksapaguesit amerikanë”, ka thënë ai.