Ushtria amerikane ka filluar ndërtimin e një porti të madh në brigjet e Gazës për të lehtësuar dërgimin e ndihmave humanitare, ka bërë të ditur departamenti i Mbrojtjes.
Anijet do të dërgojnë ndihma nga Qipro në skelë ku do të ngarkohen në kamionë për t'u transferuar nëpër Gaza.
Porti do të ngjitet në breg nga një rrugë e përkohshme, të cilën do ta përdorin kamionët. Zyrtarët amerikanë thonë se porti do të jetë funksional në fillim të majit, por kanë shtuar nuk do të ketë ushtarë amerikanë në terren në Gaza.
Plani u njoftua për herë të parë nga presidenti, Joe Biden në mars, si pjesë e përpjekjeve për të trajtuar urinë në Gaza, të shoqëruar nga problemet me dërgimin e ndihmave, ndërsa Izraeli vazhdon fushatën e tij ushtarake kundër Hamasit.
OKB-ja ka paralajmëruar se uria në Rripin e Gazës është "pothuajse e pashmangshme" dhe fëmijët po vdesin nga uria.
Më shumë se 1000 trupa amerikane pritet të përfshihen në ndërtimin e portit lundrues, por Pentagoni e bëri të qartë që në fillim se punëtorët nuk do të shkelnin në tokë.
Një zëdhënës i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder, ka thënë në një konferencë shtypi të enjten se "anijet ushtarake amerikane kanë filluar të ndërtojnë fazat fillestare të portit të përkohshëm dhe rrugës në det".
SHBA-ja thotë se pasi sistemi të jetë funksional, deri në 150 kamionë ndihma mund të shpërndahen në ditë me dy milionë vakte, të mjaftueshme për të ushqyer pothuajse të gjithë popullsinë 2.3 milionëshe të territorit.