Botë

SHBA-ja ndan edhe 400 milionë dollarë ndihmë për palestinezët

Gaza

Gaza/ Arkiv

Foto: Associated Press

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka njoftuar të martën për një ndihmë të re amerikane në vlerë prej 400 milionë dollarësh, për civilët palestinezë në Gaza, ata në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe shtetet fqinje.

Blinken foli në një konferencë ndërkombëtare urgjente për rritjen e ndihmës për Gazën, ndërsa lufta Izrael-Hamas po vazhdon në muajin e saj të nëntë, raporton AP.

Blinkeni ka deklaruar se administrata Biden do të kontribuojë me 404 milionë dollarë shtesë për të mbështetur palestinezët e cenuar dhe të zhvendosur, me ushqim, ujë të pijshëm, kujdes shëndetësor, arsim, strehim dhe mbështetje psikosociale. 

Ndihma e çon shumën totale të ndihmës së SHBA-së për palestinezët që nga shpërthimi i luftës në tetor në më shumë se 674 milionë dollarë. 

Blinken ishte në Jordani për konferencën e ndihmës pasi vizitoi Izraelin dhe Egjiptin, ku zhvilloi bisedime me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe presidentin egjiptian, Abdel Fattah el-Sissi për të nxitur një marrëveshje të propozuar për armëpushim në Gaza. 

Konferenca e ndihmës u organizua nga Mbreti Abdullah II i Jordanisë dhe morën pjesë mes të tjerëve el-Sissi dhe presidenti palestinez, Mahmoud Abbas. Tre udhëheqësit arabë kanë bërë thirrje vazhdimisht për një armëpushim në Gaza.