Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se kanë mbyllur ambasadën në Kiev si “masë paraprake”, duke paralajmëruar se Rusia mund të nisë sulm të madh ajror në Ukrainë gjatë ditës së sotme, shkruan BBC.
Ambasada amerikane ka thënë se punonjësit janë udhëzuar të strehohen.
“Ambasada Amerikane në Kiev mori informacion specifik për një sulm ajror të mundshëm të madh më 20 nëntor. Ambasada e SHBA-së rekomandon që qytetarët amerikanë të jenë të përgatitur të evakuohen menjëherë në rast se lëshohet paralajmërimi për sulme ajrore”, thuhet në njoftimin e ambasadës.
Nuk është hera e parë që SHBA-ja mbyll ambasadën në kryeqytetin ukrainas. Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, Amerika e mbylli ambasadën edhe gjatë Vitit të Ri dhe në Ditën e Pavarësisë të Ukrainës.
Tensionet në luftën në Ukrainë janë rritur ditëve të fundit pasi presidenti Joe Biden mori vendim ta lejojë Ukrainën t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS që të sulmojë brenda territorit rus. Kjo bëri që presidenti rus Vladimir Putin të martën ta zgjerojë doktrinën bërthamore.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se linja speciale telefonike midis Kremlinit dhe Shtëpisë së Bardhë, e krijuar pas krizës së Kubës të vitit 1962, nuk po përdoret aktualisht.