SHBA-ja ka lansuar një valë “vendimtare dhe të fuqishme” të sulmeve ajrore ndaj rebelëve Houthi në Jemen, ka thënë presidenti amerikan Donald Trump, ndërsa ka cekur si arsye sulmet e grupit të armatosur ndaj anijeve në Detin e Kuq, raporton “BBC”.
“Të financuar nga Irani, banditët Houthi kanë hedhur raketa në drejtim të aeroplanëve amerikanë dhe kanë shënjestruar trupat tanë dhe të aleatëve tanë”, ka shkruar Trump në platformën “Truth social”. Ai tha se “pirateria, dhuna dhe terrorizmi” i Houthive ka kushtuar “miliarda dollarë” dhe ka vënë në rrezik jetët.
Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Houthit tha se të paktën 31 persona janë vrarë dhe 101 tjerë janë plagosur në sulmet e të shtunës.
Grupi ka paralajmëruar kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane. Houthit kanë fajësuar SHBA-në dhe Britaninë se kanë shënjestruar ndërtesa banimi në kryeqendrën e Jemenit, Sanaa.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi ka thënë se SHBA-ja “s’ka autoritet apo s’është punë e sak të diktojë politikën e jashtme iraniane”.
“Ndalni përkrahjen për gjenocidin dhe terrorizmin izraelit. Ndalni vrasjen e jemenasve”, ka shkruar ai në platformën “X” të dielën.
Houthit kanë thënë se po veprojnë në përkrahje të palestinezëve në luftën mes Izraelit e Hamasit.
Që nga nëntori i vitit 2023, Houthit kanë shënjestruar anijet tregtare në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke i sulmuar me raketa, dronë ndër të tjera. Kanë përmbytur dy anije, kanë grabitur një të tretë dhe kanë vrarë pesë anëtarë të ekuipazhit.