Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë të mërkurën se zyrtarët amerikanë janë angazhuar në “diskutime dhe bisedime të vazhdueshme” me zyrtarët e Hamasit, duke hequr dorë nga një politikë e gjatë e SHBA-së për të mos u përfshirë drejtpërdrejt në grupin militant.
Konfirmimi për bisedimet në Katar vjen ndërsa armëpushimi në Gaza vazhdon. Është angazhimi i parë direkt mes SHBA-së dhe Hamasit që kur Departamenti i Shtetit e shpalli grupin si organizatë të huaj terroriste në vitin 1997, raportoi AP.
Leavitt nuk dha më shumë detaje se çka u diskutua. Ndërmjetësuesit egjiptianë dhe të Katarit kanë shërbyer si lehtësues në procesin e negociatave mes Izraelit dhe Hamasit që kur grupi nisi sulmin më 7 tetor 2023.
“Dialogu dhe bisedimi me njerëz përreth botës për të bërë atë që është në interesin më të mirë të popullit amerikan është diçka që presidenti... beson se është një përpjekje e mirë për të bërë çfarë është e drejtë për popullin amerikan”, ka thënë ajo.
Leavitt ka shtuar se Izraeli është konsultuar rreth angazhimit direkt me zyrtarët e Hamasit, por ka theksuar se janë “jetë të amerikanëve në rrezik”. Zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se “Izraeli i ka shprehur SHBA-së qëndrimin e tij në lidhje me bisedimet direkte me Hamasin”.