Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërcënuar me tërheqje nga negociatat për paqe, nëse Moska dhe Kievi vazhdojnë të bllokojnë progresin. Komentet e presidentit Donald Trump dhe sekretarit Marco Rubio kanë sinjalizuar mundësinë e braktisjes së përpjekjeve diplomatike nga SHBA-ja, në kohën kur ndihma ushtarake për Ukrainën thuhet se është ndalur pothuajse krejtësisht
Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të tërhiqen nga përpjekja për të ndërmjetësuar marrëveshjen e paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, në qoftë se të dyja palët e vështirësojnë vazhdimësinë e procesit, ka deklaruar të premten presidenti amerikan, Donald Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.
“Nëse për ndonjë arsye, njëra nga të dyja palët e bën të vështirë vazhdimin e procesit... atëherë ne thjesht do të tërhiqemi dhe nuk do të marrim pjesë. Shpresojmë se nuk do të duhet ta bëjmë këtë”, ka thënë Trumpi.
Paralajmërimi i presidentit u bë pak orë pas komenteve të sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili u shpreh se SHBA-ja do ta braktisë nismën diplomatike për marrëveshjen e paqes midis Rusisë e Ukrainës, po qe se përparimi nuk arrihet brenda ditësh.
Tek ka folur pas takimit të tij me liderët evropianë dhe ukrainas në Paris, Rubio ka thënë se presidenti amerikan vazhdon të jetë i interesuar për marrëveshjen e paqes, porse ka prioritete të tjera sa u përket çështjeve botërore, duke bërë me dije se ai është i gatshëm të “lëvizë përpara” nëse nuk ka progres.
“Nuk është lufta jonë. Ne nuk e kemi filluar”, ka thënë Rubio, duke shtuar se nëse marrëveshja s’është e mundur – presidenti amerikan “do të arrijë në një pikë ku ai do të thotë se, epo mirë, ne kemi mbaruar”.
Komentet e Rubios janë sinjali më i qartë deri më tani se Shtëpia e Bardhë është e gatshme të largohet nga përpjekjet diplomatike për të negociuar fundin e luftës. Ishte e paqartë nëse këto qëndrime nënkuptojnë edhe mbarimin e ndihmës ushtarake amerikane për Kievin. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë gjatë javës se dërgesat “praktikisht janë ndalur”.
Muajin e kaluar, Zelensky u pajtua me propozimin amerikan rreth një armëpushimi 30-ditor. Kremlini, nga ana tjetër, e pati kundërshtuar planin. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të premten se përfundimi i luftës nuk është “temë e thjeshtë”. “Moska po kërkon një marrëveshje që do të garantonte interesat e saj”, ka shtuar ai.
Në javët e fundit, Rusia ka nisur ofensiva të reja ushtarake përgjatë vijës 1,000 kilometërshe të frontit dhe ka intensifikuar sulmet ajrore mbi popullatën dhe infrastrukturën e Ukrainës. Të dielën, një sulm raketor rus në qytetin e Sumyt la të vdekur 35 persona dhe lëndoi 117 të tjerë.
Që prej rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë në muajin janar, Trumpi ka shtuar presionin mbi Ukrainën, duke ndaluar pjesën më të madhe të ndihmës ushtarake dhe duke ndërprerë përkohësisht ndarjen e inteligjencës.
Këtë javë, presidenti amerikan e akuzoi Zelenskyn dhe Bidenin për “fillimin” e luftës.
Në anën tjetër, Trumpi ka refuzuar të kritikojë presidentin rus ose të vendosë sanksione që e ndëshkojnë Moskën.
Sipas mediumit “Bloomberg”, plani i fundit i paqes i propozuar nga SHBA-ja gjatë takimit të së enjtes me liderët evropianë do të ngrinte luftën në vijat ekzistuese të frontit. Rusia do të mbante territoret e pushtuara, teksa Kievi s’do të lejohej të anëtarësohet në NATO.
Bisedimet pritet të vazhdojnë në Londër javën e ardhshme. Zyrtarët amerikanë kanë pranuar se propozimi do të jetë i parëndësishëm nëse Kremlini nuk pajtohet për të ndaluar luftimet, dhe kanë thënë se garancitë e sigurisë janë thelbësore për Ukrainën nëse marrëveshja do të funksiononte, ka raportuar “Bloomberg”.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, është shprehur optimist, pas takimit të tij me kryeministren italiane, Giorgia Meloni në Romë, se “lufta brutale” mund të ndalohej.
“Edhe në 24 orët e fundit, ne mendojmë se kemi disa gjëra interesante për të raportuar”, ka thënë Vance.
Lëvizje përpara në marrëveshjen për mineralet
Ndërkohë, detaje të rëndësishme rreth marrëveshjes për mineralet ende vazhdojnë të jenë të paqarta, përfshirë atë se a është pajtuar Kievi me kërkesën e Shtëpisë së Bardhë për “të shpaguar” koston e ndihmës së mëhershme ushtarake.
Zelensky ishte i gatshëm në muajin shkurt për të nënshkruar kornizën e marrëveshjes rreth partneritet ekonomik gjithëpërfshirës. Ishte shtyrë pas takimit të dështuar në Zyrën Ovale me Trumpin dhe Vancein.
Që prej atëherë, negociatat kanë vazhduar. Të premten, zëvendëskryeministrja e pare e Ukrainës, Yuliia Svyrydenko, ka thënë se memorandumi i mirëkuptimit është finalizuar.
Sipas saj, nënshkrimi i memorandumit i ka hapur rrugë krijimit të një fondi të përbashkët investimi për rindërtimin e Ukrainës.
“Jemi të lumtur të njoftojmë nënshkrimin me partnerët tanë amerikanë”, ka thënë ajo.
Tek kishte folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi kishte thënë se marrëveshja e plotë mund të nënshkruhej të enjten e javës që vjen.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka shtuar se akoma po punohet në detaje. Ai ka thënë se versioni i fundit shkon deri në 80 faqe dhe “në substancë është ajo që janë pajtuar paraprakisht”.
“Kjo është marrëveshja të cilën do ta nënshkruajmë”, ka thënë ai.
Bazuar në draftin e fundit, të siguruar nga “The Guardian”, Ukraina është e vetëdijshme “për ndihmën e jashtëzakonshme materiale dhe financiare” që Kievi ka pranuar prej SHBA-së që nga pushtimi në shkallë të gjerë i Rusisë dhe dëshirën e të dyja vendeve për “paqe të qëndrueshme”.
Në draft thuhet se kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, do të vizitojë Washingtonin javën tjetër për të mbajtur “bisedime teknike” me Bessentin. Ata pritet të përfundojnë diskutimet mbi “fondin investues të rindërtimit”, shkruhet në memo.
Marrëveshja duhet të ratifikohet në Parlamentin e Ukrainës, ka thënë zëvendësministri ukrainas i Ekonomisë, Oleksii Sobolev, të premten.
Zelensky po synon të përmirësojë marrëdhëniet me administratën Trump. Në të njëjtën kohë, ai ka refuzuar kërkesën e Shtëpisë së Bardhë se të ardhurat nga fondi i ri i përbashkët të përdoren për të mbuluar shpenzimet e ndihmave ushtarake të dërguara nga administrata Biden.
Trumpi ka thënë në të kaluarën se Ukraina i “detyrohet” SHBA-së 300 miliardë dollarë.
Zelensky ka theksuar se ndihma ushtarake ishte dhënë si grant, e jo si huazim, me ligjvënësit republikanë dhe demokratë të cilët e kishin miratuar në Kongres. Çdo partneritet i ardhshëm duhet të bazohet në parimin e barazisë, dhe duhet të jetë profitabil për të dyja vendet, ka thënë ai.
Marrëveshja mund të ndihmojë prodhuesit amerikanë të armëve, të cilët po përballen me mungesa kritike në importin e mineraleve të rralla nga Kina. Pekini ka kufizuar eksportin e tyre si kundërpërgjigje ndaj luftës tregtare të nxitur prej Trumpit.
Negociatat e fundit janë zhvilluar në kohën kur sulmet ruse vranë një person dhe lënduan rreth 70 të tjerë në një zonë banimi afër qytetit verilindor të Kharkivit. Pesë nga të lënduarit janë fëmijë. Ka pasur gjithashtu sulme në Dnipro, Kiev, Mykolaiv, si dhe në rajonin e Donetskut.
“Kjo është mënyra se si Rusia e filloi të “Premten e Mirë” – duke sulmuar me raketa balistike, raketa lundruese, dronë të tipit Shahed – duke dëmtuar rëndë popullin dhe qytetet tona, ka shkruar Zelensky në rrjete sociale.