Shtete e Bashkuara të Amerikës, të mërkurën i kanë vendosur sanksione të reja Iranit, ka njoftuar Departamenti i Thesarit, dy ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi se SHBA-ja planifikon bisedime direkte me Teheranin për programin nuklear, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.
Departamenti i Thesarit njoftoi se i ka sanksionuar pesë entitete me seli në Iran dhe një individ, për mbështetjen e tyre për programin nuklear të Iranit.
“Përpjekja e pashterueshme e regjimit iranian për bombë bërthamore është kërcënim serioz për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një kërcënim për stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale”, ka deklaruar sekretari i Thesarit, Scott Bessent.
Veprimi erdhi pasi Trumpi njoftoi papritur të hënën se SHBA-ja dhe Irani do të fillojnë bisedime direkte për programin nuklear të Teheranit. Por ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se diskutimet në Oman do të jenë indirekte.
Më herët Trumpi e ka kërcënuar Iranin se nëse bisedimet nuk do të jenë të suksesshme, Irani do të jetë në rrezik të madh.
Thesari deklaroi se entitet e caktuara të mërkurën mbështetshin dy entitete që menaxhojnë dhe mbikëqyrin programin nuklear të vendit, Organizata e Energjisë Atomike e Iranit (AEOI) dhe dega e saj, Iran Centrifuge Technology Company (TESA).
Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright të martën ka thënë se Irani mund të presë sanksione më të forta nëse nuk arrin një marrëveshje me Trumpin.