Botë

SHBA-ja i bën thirrje Izraelit që urgjentisht të adresojë “kushtet katastrofike” në Gaza

Gaza

Foto: Associated Press

Izraeli urgjentisht duhet të adresojë “kushtet katastrofike” mes civilëve palestinezë në Rripin e Gazës dhe të ndalojë shtimin e vështirësisë duke kufizuar dërgesat me ndihma, i ka thënë SHBA-ja Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Ambasadorja e SHBA-së, Linda Thomas-Greenfield, ka thënë se gjendja duhet të ndryshojë.

“Këto kushte katastrofike ishin parashikuar muaj më parë, por ende nuk janë adresuar. Kjo duhet të ndryshojë, dhe të ndryshojë tani”, ka thënë ajo.

Thomas-Greenfield e ka paralajmëruar Izraelin kundër tentimit që të dëbojë përgjithmonë palestinezët nga Gaza, ose që të marrë ndonjë territor, raportoi Guardian. 

“Nuk duhet të ketë asnjë ndryshim demografik apo territorial në Rripin e Gazës, përfshirë çdo veprim që zvogëlon territorin e Gazës”, ka theksuar ajo.

Pavarësisht një viti sulmesh të pareshtura të Izraelit në Gaza dhe deklarimeve të Forcave të Mbrojtjes izraelite se e kanë mposhtur Hamasin, tanket izraelite dhe ushtria e kanë sulmuar veriun e Gazës për të tretën herë këtë javë duke pretenduar se aksioni ishte i nevojshëm për të parandaluar “rigrupimin” e Hamasit.

Qindra mijëra civilë në Gaza mbesin të bllokuar nga ofensiva e fundit e Izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia, sipas OKB-së.