Botë

SHBA-ja refuzon planin e vendeve arabe për Gazën

Gaza

Foto: Associated Press

Administrata Trump ka hedhur poshtë një plan për rindërtimin e Gazës të miratuar nga liderët arabë, duke thënë se presidenti qëndron në vizionin e tij për zhvendosjen e banorëve palestinezë të territorit dhe transformimin e tij në një "rivierë" në pronësi të Shteteve të Bashkuara.

“Propozimi aktual nuk adreson realitetin se Gaza është aktualisht e pabanueshme dhe banorët nuk mund të jetojnë në mënyrë njerëzore në një territor të mbuluar me mbeturina dhe municione të pashpërthyera”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Brian Hughes në një deklaratë të martën mbrëma.

“Presidenti Trump i qëndron vizionit të tij për të rindërtuar Gazën të lirë nga Hamasi. Ne presim bisedime të mëtejshme për të sjellë paqe dhe prosperitet në rajon”, ka shtuar ai.

Plani i pasluftës për Rripin e Gazës, i cili u propozua nga Egjipti i bën thirrje Hamasit t'i dorëzojë pushtetin një administrate të përkohshme derisa një Autoritet Palestinez i reformuar të marrë kontrollin, dhe parasheh që rreth 2 milionë palestinezë të saj të mbeten në vendin e tyre, në kontrast me propozimin e Trumpit, raporton CNN.

Izraeli ka përjashtuar çdo rol të Autoritetit Palestinez në Gaza.
Propozimi prej 53 miliardë dollarësh nga vendet arabe kërkon rindërtimin e Gazës deri në vitin 2030.

Faza e parë kërkon fillimin e heqjes së municioneve të pashpërthyera dhe pastrimin e më shumë se 50 milionë tonë rrënojave të mbetura nga bombardimet dhe ofensivat ushtarake të Izraelit.

Armëpushimi aktual në Gaza, i vendosur që nga janari, mbetet i brishtë pasi faza e parë e tij ka përfunduar të shtunën. 

Izraeli ka mirëpritur atë që thotë se është një propozim alternativ i SHBA-së për të zgjatur ndërprerjen e armiqësive dhe lirimin e pengjeve të marra në sulmin e Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, i cili shkaktoi luftën.

Ndërkohë, Izraeli ka bllokuar hyrjen e ushqimit, karburantit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera në Gaza për t'i bërë presion Hamasit që të pranojë marrëveshjen dhe ka paralajmëruar për pasoja shtesë, duke rritur frikën për rikthimin e luftimeve.

Pezullimi i ndihmës ka nxitur kritika të shumta, teksa grupet e të drejtave të njeriut kanë thënë se ajo shkel detyrimet e Izraelit si një fuqi pushtuese sipas të drejtës ndërkombëtare.

Duke folur në samitin ku është shpallur planin për të ardhmen e Gazës të martën në Kajro, presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sissi ka thënë se nuk do të kishte "paqe të vërtetë" pa krijimin e shtetit palestinez.

Izraeli është zotuar të mbajë kontroll të hapur të sigurisë mbi Gazën dhe Bregun Perëndimor, të cilin e ka pushtuar në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe që palestinezët e duan për shtetin e tyre të ardhshëm.

Qeveria e Izraelit dhe pjesa më e madhe e klasës së saj politike janë kundër shtetësisë palestineze.

LEXO EDHE: