SHBA-ja ka krijuar “kontakt të drejtpërdrejtë” me rebelët e grupit Hayat Tahrir al-Sham (HTS) që tani kontrollojnë Sirinë, pas rrëzimit të regjimit të Assadit, ka bërë të ditur sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Është njohja e parë e kontaktit të drejtpërdrejtë amerikan me Hayat Tahrir al-Sham, të cilin SHBA-ja aktualisht ende e cilëson si një organizatë terroriste, raporton BBC.
Blinkeni po fliste në Jordani pas bisedimeve me përfaqësues nga disa vende arabe, Turqia dhe Evropa për të diskutuar të ardhmen e Sirisë.
Zyrtarët ranë dakord të mbështesin një proces tranzicioni paqësor në vend, teksa ministri i Jashtëm i Jordanisë tha se fuqitë rajonale nuk do të donin ta shihnin Sirinë të “rrëshqiste në një kaos”.
Një komunikatë e përbashkët bëri thirrje për një qeveri siriane gjithëpërfshirëse që respekton të drejtat e pakicave dhe nuk ofron një bazë për "grupet terroriste".
Bisedimet brenda dhe jashtë Sirisë pas ngjarjeve të trazuara të javëve të fundit kanë qenë të një rëndësie jetike për ngritjen e një qeverisjeje të re që përfaqëson të gjithë sirianët.
Në takimin në Jordani, ministri i Jashtëm irakian, Fuad Hussein shprehu shqetësimin për të ardhmen e Sirisë në Lindjen e Mesme dhe më gjerë. Ai është shprehur se lojtarët rajonalë nuk donin të shihnin një
Libi tjetër, duke iu referuar kaosit që pasoi pas largimit të kolonel Gadafit nga pushteti.
Ndërkaq, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan ka thënë se institucionet ekzistuese sirianë duhet të ruhen dhe të reformohen.