Botë

SHBA-ja e Kina zhvillojnë bisedimet e para joformale për armë bërthamore në 5 vjet

Kina dhe SHBA-ja

Shtetet e Bashkuara dhe Kina rifilluan bisedimet joformale lidhur me armë bërthamore në mars të këtij viti, për herë të parë në pesë vjet.

Sipas dy delegatëve amerikanë që morën pjesë në këto bisedime, përfaqësuesit e Pekinit u thanë homologëve amerikanë se nuk do të përdorin kërcënime atomike mbi Tajvanin. 

Përfaqësuesit kinezë ofruan siguri pasi bashkëbiseduesit e tyre amerikanë ngritën shqetësimet se Kina mund të përdorë ose kërcënojë të përdorë armë bërthamore nëse përballet me disfatë në një konflikt mbi Tajvanin. Pekini e sheh ishullin e qeverisur në mënyrë demokratike si territorin e tij, një pretendim i hedhur poshtë nga qeveria në Taipei.

“Ata i thanë palës amerikane se ishin absolutisht të bindur se ata janë në gjendje të mbizotërojnë në një luftë konvencionale mbi Tajvanin pa përdorur armë bërthamore”,  ka deklaruar studiuesi David Santoro, organizatori amerikan i bisedimeve të Track Tëo, detajet e të cilave po raportohen nga Reuters për herë të parë.

Pjesëmarrësit në bisedimet e Track Tëo janë përgjithësisht ish-zyrtarë dhe akademikë që mund të flasin me autoritet mbi pozicionin e qeverisë së tyre. Negociatat qeveri me qeveri njihen si Track One.
Uashingtoni u përfaqësua nga dhjetëra delegatë, duke përfshirë ish-zyrtarë dhe studiues në diskutimet dy-ditore, të cilat u zhvilluan në sallën e konferencave të një hoteli në Shangai, raporton Reuters. 

Pekini dërgoi një delegacion studiuesish dhe analistësh, i cili përfshinte disa ish-oficerë të Ushtrisë Çlirimtare Popullore.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha në përgjigje të pyetjeve të Reuters se bisedimet e Track Tëo mund të jenë të dobishme. Departamenti nuk mori pjesë në takimin e marsit edhe pse ishte në dijeni të tij, tha zëdhënësi.

Diskutime të tilla nuk mund të zëvendësojnë negociatat formale që kërkojnë nga pjesëmarrësit të flasin me autoritet për çështje që shpesh janë shumë të ndara brenda qarqeve të qeverisë kineze, tha zëdhënësi.