Botë

SHBA-ja e Britania vendosin sanksione të reja ndaj Iranit

Flamuri i Iranit

Flamuri i Iranit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe kanë sanksionuar figurat dhe subjektet kryesore ushtarake iraniane pas sulmit ndaj Izraelit në fundjavën e kaluar.

Kjo masë i shtohet rreth 400 sanksioneve të vendosura tashmë ndaj Iranit. Ato të mëparshmet përfshijnë Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) në tërësinë e tij dhe shumë nga ata që janë përgjegjës për sulmin ndaj Izraelit.

Në paketën e koordinuar midis dy vendeve, figurat kryesore ushtarake iraniane janë sanksionuar në përgjigje të sulmit të rrezikshëm të drejtpërdrejtë të Iranit ndaj Izraelit më 14 prill. 

Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja kanë njoftuar gjithashtu një sërë sanksionesh për të shtrënguar rrjetin ndaj aktorëve kryesorë brenda industrisë së automjeteve ajrore pa pilot (UAV) dhe raketave të Iranit dhe për të kufizuar më tej aftësinë e Iranit për të destabilizuar rajonin.

“Sot kemi sanksionuar krerët e ushtrisë iraniane dhe forcat përgjegjëse për sulmin e fundjavës. Këto sanksione – të shpallura me SHBA-në – tregojnë se ne e dënojmë pa mëdyshje këtë sjellje dhe ato do të kufizojnë më tej aftësinë e Iranit për të destabilizuar rajonin”, ka thënë kryeministri britanik, Rishi Sunak, njoftoi qeveria britanike. 

Presidenti amerikan Joe Biden nga ana tjetër ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj e kanë ndihmuar Izraelin të mposhtte sulmin me raketa dhe dron të 13 prillit dhe tani po e mbajnë Iranin përgjegjës me sanksione të reja dhe kontrolle të eksportit.

“Sanksionet synojnë liderët dhe entitetet e lidhura me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike, Ministrinë e Mbrojtjes të Iranit dhe programin e raketave dhe dronëve të qeverisë iraniane që mundësoi këtë sulm të pacipë”, ka thënë Bideni, raportoi Reuters.